
Gjermania furnizon me armë të reja Ukrainën
Ministri gjerman i Mbrojtjes në detyrë, Boris Pistorius gjatë një takimi të Grupit të Kontaktit për Ukrainën në Bruksel më 11 prill, bëri të ditur se Gjermania do të dërgojë një tjetër paketë ndihmash ushtarake për Ukrainën.
Ai theksoi se situata në front mbetet e ashpër dhe nuk ka shenja për ulje të luftimeve. “Ndaj është e domosdoshme që Ukraina të jetë e fortë ushtarakisht dhe të mbështetet vazhdimisht. Vetëm kështu mund të hapet rruga për paqe,” u shpreh ai.
Sipas mediave, gjatë këtij viti pritet që Gjermania të dërgojë në Ukrainë katër sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore IRIS-T, së bashku me 300 raketa dhe 100 radarë për vëzhgim tokësor. Po ashtu parashikohen furnizime me dronë zbulimi, automjete luftarake të tipit Marder, dhe sisteme të ndryshme artilerie.
Lidhur me raportimet se pajisjet ushtarake gjermane po shkaktojnë probleme në përdorim nga ushtria ukrainase, Pistorius u shpreh i habitur. “E lexova me habi atë që u raportua. Unë kam kontakte të rregullta me partnerët tanë ukrainas dhe nuk kam marrë asnjë ankesë të tillë për materialet tona,” tha ai, duke iu referuar një raporti të brendshëm të Bundesëehr-it që ishte publikuar nga NDR, WDR dhe Suddeutsche Zeitung.
Pistorius theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së kapaciteteve të Bundeswehr-it dhe deklaroi se Gjermania po hyn në një epokë të re të sigurisë dhe mbrojtjes, ku duhet të dëshmojë aftësinë e saj për të vepruar shpejt dhe në mënyrë të bashkërenduar.