Gjermania gati ta zgjasë bllokimin
Gjermania ka të ngjarë të zgjasë një bllokim kombëtar përtej 10 janarit për të frenuar infeksionin nga Covid-19, pasi që numri i të infektuarve është akoma i lartë.
Kancelarja Angela Merkel dhe udhëheqësit rajonalë pritet të bien dakord të zgjasin kufizimet kur të mblidhen të martën. Ende nuk është e qartë se sa do të zgjasë bllokimi, raporton “Reuters”.
“Shifrat janë ende shumë të larta, kështu që ne do të duhet të zgjasim kufizimet”, i ka thënë ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn televizionit “RTL” në një intervistë të shtunën në mbrëmje.
Shkalla e infeksionit duhej të ulej në mënyrë të qëndrueshme, ka thënë Spahn.
Gjermania vendosi kufizime më të ashpra para Krishtlindjes, duke përfshirë mbylljen e restoranteve dhe shumicën e dyqaneve. Sidoqoftë, infeksionet vazhduan të rriteshin dhe numri i të vdekurve ka arritur më shumë se 1 mijë në disa ditë.
Zyrtarët nga 16 shtetet e Gjermanisë ranë dakord për një konferencë të shtunën për të zgjatur kufizimet, ka njoftuar “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”.
Por kishte mosmarrëveshje se sa gjatë të mbahen masat në fuqi. Disa shtete më të goditura kërkuan një zgjatje tre javore dhe që shkollat të mbaheshin të mbyllura, ndërsa të tjerët favorizuan një zgjatje dy javore.
Instituti Robert Koch, agjencia që koordinon reagimin pandemik të Gjermanisë, raportoi 10 mijë e 315 raste të reja të konfirmuara sot dhe 312 vdekje, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 34 272.