Gjermania hap “dyert” për shqiptarët, ka nevojë të madhe për fuqi punëtore

21 tetor 2018 | 10:25

Gjermania, pavarësisht se është ekonomia më e madhe në Europë, duket se e ka shumë të vështirë të përballet me një ndër problemet më të mëdha të shekullit të 21-të; plakjen e popullsisë.

Ky fenomen demografik po bën që çdo ditë e më shumë, forca punëtore në vend të shterojë, e sidomos profesionistët. Madje, në sektorë të caktuar problematika është kthyer në alarmante. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore e politikës gjermane të dyerve të hapura ndaj emigrantëve.

Kjo politikë ka nisur edhe më herët se kriza e refugjatëve në Europë, e vitit 2015. 

Spitalet gjermane prej vitesh kanë hapur dyert për të huajt, të gjendur përballë një emergjence të pakurueshme; mungesën e stafit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkon medoemos të ndryshojë fluksin migrator në vend, nëpërmjet një ligji të ri për migracionin, me qëllimin e vetëm, për ta bërë më të lehtë për të huajt që të gjejnë një punë në Gjermani, transmeton express.

Politika e dyerve të hapura duket se po hyn kështu në një fazë të dytë. Ligji i ri i emigracionit do të shoqërohet me një paketë 4 milardë euro. Një ndër arsyet kryesore të kësaj politike duket se është nevoja e pashmangshme për të mbushur vendet vakante në sektorët kyç, si ai i kujdesit shëndetësor. Bëhet fjalë për më shumë se 1 milion vende pune vakante, shprehen përfaqësuesit e biznesit në vend.

“Ne do të vazhdojmë të mbështetemi te profesionistët e huaj”, deklaroi Angela Merkel në bundestag-un gjerman, duke mbrojtur kështu politikat e saj pro emigracionit. Sipas Merkel, kompanitë nuk duhet të ikin nga Gjermania vetëm se s`po gjejnë dot staf. Shqiptarët, ndërkohë, duket se janë në fokus të ligjit të ri për shkak të potencialit që ofrojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn, të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova mund të ndihmojnë vendin që të mbushë 50 mijë vendet vakante në shëndetësi.

Ai ndër të tjera, vetëm pak kohë më parë, bënte apel për përshpejtimin e procedurave për dhënien e vizave për të huajt që duan të punojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor në Gjermani. Në 15 vitet e ardhshme, projektohet që sektori të ketë një mungesë prej 250 mijë profesionistësh. Vetëm emigrantët mund ta mbulojnë këtë hendek. Të dhënat e Urdhrit të Mjekut flasin mesatarisht për 150 kërkesa në vit nga mjekët shqiptarë për t`u larguar drejt Gjermanisë, çka bën që në 4 vitet e fundit të jenë larguar mbi 500 mjekë. Për infermierët, ndërkohë, numri është bindshëm më i lartë, pasi flitet për rreth 3000 të larguar.

Kjo tendencë mund të rritet edhe më shumë me ligjin e ri gjerman dhe nevojën në rritje për profesionistë. As politikat e reja të qeverisë shqiptare për të stimuluar ekonomikisht mjekët që punojnë në rrethe, nuk kanë pasur efekt në zhbërjen e dëshirës për t`u larguar nga vendi.

Debatet për ligjin e ri

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po vendos kështu një bast mjaft të rrezikshëm, ne një kohë aspak të lehtë për të. Pas një viti mjaft të vështirë, si pasojë e negociatave për formimin e qeverisë, por edhe si pasojë e presioneve të brendshme nga forcat konservatore, Angela Merkel guxon sërish, pikërisht atje ku askush nuk do të guxonte, pasi po i jep ushqim populistëve dhe forcave antiemigrante.

Por, mesa duket, qeveria e drejtuar nga Merkel i ka idetë e qarta; bomba demografike që është duke shpërthyer në Gjermani, mund të çmontohet vetëm nga të huajt. Zgjidhje tjetër, sipas tyre, nuk ka. 

Ligji i ri ka për qëllim të tërheqë punonjësit jashtë Bashkimit Europian, paçka se iu duhet një kualifikim profesional si dhe gjuha gjermane, kur të aplikojnë për vizë, sipas projektligjit. Zyrtarët e lartë gjermanë e shohin këtë ligj si diçka që do të ndryshojë tërësisht “lojën”, në garën globale të tërheqjes së talenteve, në një kohë që shumë shtete të botës po vendosin rregulla të ashpra kundër emigrantëve.

Por, nga ana tjetër, ky ligj i ri mund të zemërojë elektoratin, që tashmë ndihet i lënë pas dore nga kancelarja dhe nga vendimi i saj për të hapur dyert ndaj më shumë se një milion refugjatëve që prej vitit 2015. Një sondazh i zhvilluar së fundmi tregon se, 51% e gjermanëve mendojnë se qeveria e tyre nuk e merrr seriozisht problemin e emigracionit. Në Gjermaninë Lindore, ndërkohë, kjo normë ngjitet në 66%. Vitin e ardhshëm, në pjesën dërrmuese të rajoneve lindore të vendit, si në Saksoni, Brandenburg, etj, do të mbahen zgjedhjet lokale.

Në këto zona, e djathta ekstreme, që tanimë në Gjermani mban emrin “Alternativa për Gjermaninë’, pritet që të fitojë shumicën në kurrizin e konservatorëve të Angela Merkel dhe të socialdemokratëve, të cilët duket se kanë dalë nga skena vendimmarrëse. “Alternativa për Gjermaninë” e kundërshton ashpër ligjin e ri. Ndarjet e thella në vend janë bërë të dukshme gjatë muajve të fundit, me protesta tashmë edhe të dhunshme nga grupimet kundër emigrantëve.

Misioni i pamundur i Merkel

“Emigrimi është ‘nëna’ e të gjithë problemeve politike në Gjermani”, deklaroi ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, i cili është edhe kreu i partisë simotër të Merkel, Unioni Kristian Social. Merkel, ndërkohë, ka për detyrë që të bindë elektoratin se ligji i ri është i pashmangshëm dhe mjaft i domosdoshëm për të mbuluar hendeqet në tregun e punës. Merkel, nga ana tjetër, duhet të bindë gjermanët se ky ligj nuk do të rrisë konkurrencën në tregun e punës.

Vendasit i tremben mjaftueshëm idesë se të huajt do t`u vjedhin atyre vendet e punës. Kjo frikë buron edhe nga propaganda e partive populiste, antiemigracion. “Nëse Merkel do të arrijë që në mënyrë të besueshme të bindë njerëzit se kjo po bëhet në të mirën e përbashkët të vendit, atëherë nuk do të ketë zemëratë mes atyre që janë prej kohësh të zemëruar me këto lloj politikash. Por, në të kundërt, ky ligj do të kthehet kundër Angela Merkel, po të kemi parasysh se vitin e ardhshëm janë tre palë zgjedhjesh lokale në Gjermaninë Lindore.

Zgjedhje lokale ka edhe këtë vit në Bavari dhe Hesse, ku “Alternativa për Gjermaninë” duket se po rrit ndjeshëm pozitat e saj dhe frikëson çdo ditë e më shumë. Pra, Angela Merkel rrezikon shumë, edhe pse qëllimi i saj i vetëm është që të shmangë tragjedinë, pasi është pikërisht ky, fundi i ekonomisë më të madhe të Europës, në rast se nuk do të marrë masa sot.

Gjermanisë i duhen 400 mijë emigrantë në vit

Vlerësohet se, Gjermanisë i nevojitet një emigracion neto prej 400 mijë emigrantësh në vit, deri në vitin 2060, në mënyrë që të mbulojë ‘vrimat’ në tregun e punës, e sidomos për punët që kanë nevojë për kualifikime. Kjo përkthehet në rreth 17 milionë emigrantë në harkun e 42 viteve të ardhshme. Pas një kohe të gjatë në “boom” ekonomik, ekonomia gjermane sot raporton 1.2 milionë vende të lira pune si dhe një papunësi rekord, më të ultën që prej vitit 1990 kur u ribashkuan dy Gjermanitë. Pra norma më e ulët në historinë e vendit. Kjo tregon qartë se edhe të jesh në formë të mirë ekonomike ka një dhembje koke të madhe.

Është e pamundur të mos ketë probleme për të zgjidhur dhe problemi që ka mbërthyer Gjermaninë, nuk është thjesht një “fjalë goje”, pasi ka nevojë për shumë vizion dhe për një strategji të qartë në mënyrë që pas disa dekadash vendi të mos gjendet në kolaps. Mungesat në tregun e punës i shkaktojnë Gjermanisë çdo vit 0.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, tregojnë studimet më të fundit. 

Por, me kalimin e viteve, kur kjo problematikë të theksohet edhe më shumë, kjo normë do të ngjitet ndjeshëm, çka mund t’i shkaktojë ekonomisë gjermane edhe humbjen e hegjemonisë në Europë. Kjo e fundit përkthehet në shumë kosto shtesë.

Pjesa dërrmuese e bizneseve në vend raportojnë një numër të konsiderueshëm vendesh pune bosh, të cilat nuk ka kush t`i zërë. E pakonceptueshme diçka e tillë për ekonomi të tjera, si ajo shqiptare, që vuan të kundërtën; shumë forcë punëtore, por mungesë vendesh pune. 

Bizneset gjermane shprehen se, mund t`u duhen deri në 6 muaj për një kandidat të huaj për vendin e punës, që të marrë dritën jeshile nga autoritetet. Pra, janë vetë bizneset që tashmë kërkojnë lehtësimin e procedurave për të huajt, në mënyrë që të vijnë më kollaj në Gjermani. Sektorë të tjerë të prekur nga mungesa e forcës punëtore në Gjermani, veç atij të kujdesit shëndetësor, janë edhe ndërtimi, arsimi, kujdesi ndaj fëmijëve, etj.

Shtëpitë e kujdesjes ndaj moshave të treta janë thuajse në krizë totale. Pa emigrantët, këto vende nuk do të operonin dot. Gjithsesi, sindikatat e punëtorëve shprehen se, punësimi i gjermanëve mund të nxitet nëpërmjet përmirësimit të pagave dhe kushteve të punës, paçka se Gjermania ofron ndër pagat më të larta në Europë si dhe është një ndër vendet me rritjen më të qëndrueshme. Sipas partisë “Alternativa për Gjermaninë”,  ligji i ri do të inkurajojë emigracionin dhe do të nxisë uljen e pagave për punonjësit lokalë dhe më pak të kualifikuar.

Refugjatët e 2015-ës e kanë të vështirë të gjejnë punë

Një tjetër problem për refugjatët është ai i gjetjes së një vendi pune. Një refugjat i ardhur nga Afganistani apo Siria në vitin 2015 e ka mjaft të vështirë të gjejë një vend pune, për shkak të mungesës së kualifikimeve dhe edukimit të dobët.

Një refugjati të tillë i duhen 3 deri në 5 vite për të marrë një kualifikim profesional. Ligjbërësit, ndërkohë, vazhdojnë edhe debatet nëse refugjatët që gjejnë një punë dhe që mësojnë gjuhën gjermane duhet të përfitojnë apo jo nga statusi i azilantit. 

Konservatorët shprehen se, kjo nxit ardhjen e më shumë refugjatëve me aftësi profesionale të dobëta. Të dhënat tregojnë se, Gjermania është vendi i dytë në botë më i preferuar për emigrantët, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë tendencë ka pasur një ndikim thelbësor edhe politika e dyerve të hapura e Angela Merkel. Madje, Gjermania është vendi më i preferuar edhe mes shteteve europiane. Më shumë se gjysma e emigrantëve që kanë hyrë në vend në 2016-ën vinin pikërisht nga një prej vendeve anëtare të unionit, të cilët shfrytëzojnë mungesën e barrierave për të lëvizur dhe punuar si dhe ofertën e lartë në tregun e punës në Gjermani. Të njëjtën gjë që po bëjnë edhe shqiptarët prej vitesh.

Gjermania, “pazar” në Shqipëri

Por, shqiptarët ndryshe nga europianët e kanë më të vështirë për të rregulluar dokumentet, pavarësisht se me një kualifikim të duhur, e sidomos me gjuhën në xhep është shumë e kollajtë. Gjithsesi, burokracitë janë të mëdha. Tendencën e shqiptarëve të kualifikuar për t’u futur në tregun gjerman të punës si dhe tendencën e Gjermanisë për të “bërë pazar” në tregun shqiptar të forcës punëtore e vërtetojnë edhe tendencat më të fundit për të mësuar gjuhën gjermane.

Madje, si për ironi të fatit, një ndër degët më të suksesshme të arsimit profesional, të trumbetuar me jehonë të madhe nga qeveria, rezulton të jetë pikërisht ajo e gjuhëve të huaja. E mes këtyre gjuhëve të huaja, patjetër që gjuha gjermane është më e preferuara. Shqiptarët sot po mësojnë masivisht gjermanishten, e këtë e vërtetojnë jo vetëm shifrat e arsimit profesional, shifrat e kurseve të gjuhës, por edhe ato të aplikacioneve “online” apo në aparatet celularë. Këto të fundit tregojnë se shqiptarët janë duke mësuar gjermanisht.

Gjuhë kjo tërësisht dytësore deri pak vite më parë, kur mbizotëronin gjuhë si anglisht, italisht apo frëngjisht. Ndër të tjera, qeveria gjermane është ndër mbështetëset dhe financueset kryesore të zhvillimit të arsimit profesional në vendin tonë, gjatë viteve të fundit.

SCAN M

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarja e lartë e AKR-së dhe ish-deputetja në legjislaturat e…