Gjermania i bën thirrje Kosovës të heqë taksën ndaj mallrave serbe
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas i ka bërë thirrje të martën Kosovës për të anuluar apo të paktën për ta pezulluar zbatimin e taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
“Duhet të parandalohet urgjentisht një përshkallëzim tjetër”, ka thënë Massi.
“Duhet të ruhet suksesi i dialogut për normalizim”, është shprehur ai, raporton “Rel”.
Përveç tjerash, Massi ka thënë se marrëdhëniet e përmirësuara në mes të të dyja vendeve do të shpejtojnë përpjekjet që Kosova dhe Serbia dhe shtetet tjera të Ballkanit, të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Në vend se të mendojnë për ndryshim të kufijve, Beogradi dhe Prishtina duhet të fokusohen në një marrëveshje të zbatueshme që mbulon të gjitha pyetjet e hapura dhe bën të mundur një normalizim gjithëpërfshirës”, është shprehur ai.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim javë më parë për vendosje të taksës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Kjo masë është kundërshtuar nga pala serbe dhe faktori ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Përndryshe ka qenë vendimi për po këtë taksë, që është përdorur si arsyetim nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq për ndërprerje të dialogut me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja në Bruksel.