Gjermania i dërgon 400 milionë euro ndihmë ushtarake Ukrainës
Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës një paketë të re ndihmë ushtarake me vlerë 400 milionë euro, por ende nuk ka vendosur për dërgimin e raketave me rreze të gjatë Taurus, për të cilën këmbëngul Kievi, njoftoi sot ministri gjerman i Mbrojtjes.
Paketa e re e ndihmës përfshin në mënyrë specifike lloje të ndryshme municionesh pasi ato janë “ajo që Ukraina ka nevojë më shumë”, tha ministri Boris Pistorius për gazetën Bild në prag të një samiti të aleatëve të Ukrainës në Gjermani.
“Qeveria nuk ka vendosur ende nëse do të dërgojë raketa lundrimi Taurus”, shtoi ministri.
“Ne po furnizojmë municion shtesë, automjete të blinduara dhe sisteme të çminimit” dhe qeveria planifikon të dërgojë gjeneratorë të energjisë elektrike dhe ngrohjes përpara dimrit, shtoi ministri.
Lidhur me raketat Taurus, Boris Pistorius theksoi se “detyra e qeverisë federale në tërësi është të peshojë me shumë kujdes çdo dërgesë të armëve. Për këtë duhen sqaruar shumë aspekte politike, juridike, ushtarake dhe teknike”, tha ai. Kjo “nuk është e lehtë”, sqaroi ministri.