Gjermania jep dritën jeshile për dërgimin e tankeve në Ukrainë

25 janar 2023 | 12:12

Qeveria gjermane ka konfirmuar se do t’i sigurojë Ukrainës tanke luftarake “Leopard 2” dhe do të miratojë kërkesat e vendeve të tjera për të bërë të njëjtën gjë.

Kancelari Olaf Scholz, ka thënë të mërkurën se Gjermania “po vepron në koordinim të ngushtë” me aleatët e saj.

Ndërsa zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, ka thënë se qëllimi është që të krijohen shpejt dy batalione me tanke “Leopard 2” për Ukrainën, duke shtuar se Gjermania në hapin e parë do të sigurojë 14 tanke nga rezervat e veta ushtarake.

Trajnimi i trupave ukrainase për përdorimin e këtyre tankeve do të fillojë së shpejti dhe Gjermania gjithashtu do të sigurojë logjistikë dhe municione, ka thënë Hebestreit.

Vendimi i shumëpritur ka ardhur pasi zyrtarët amerikanë thanë se ishte arritur një marrëveshje paraprake që Shtetet e Bashkuara të dërgonin tanke “M1 Abrams” për të ndihmuar Kievin t’i zmbrapsë forcat ruse të vendosura në lindje të vendit.

Scholz kishte këmbëngulur se çdo lëvizje për t’i siguruar Ukrainës tanke të fuqishme Leopard 2 do të duhej të koordinohej ngushtë me aleatët e Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara.

Anëtarët e qeverisë së koalicionit trepartiak të Scholzit e kanë mirëpritur lajmin përpara njoftimit zyrtar.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se beson se rreth 300 tanke Leopard do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i vdekjeve të shkaktuara nga temperaturat e ulëta në…