Gjermania jep më shumë para për NATO-n
NATO-ja nuk shpenzon vetëm për mbrojtjen, aleanca ka edhe shpenzime të tjera. Tani Gjermania është e gatshme të marrë përsipër një pjesë më të madhe të shpenzimeve dhe të barazohet me SHBA. Shenjë e vullnetit të mirë?
Në të ardhmen Gjermania do të marrë përsipër po aq shpenzime për fondin e përbashkët të NATO-s sa edhe SHBA. Sipas informacioneve të DPA-së, 29 vendet anëtare të aleancës ushtarake para samitit në Londër kanë rënë dakord, të ndryshojnë mekanizmin e shpërndarjes brenda NATO-s. Me fondet e përbashkëta financohet ndër të tjera edhe shtabi qendror i NATO-s në Bruksel. Një pjesë e mjeteve financiare është parashikuar për infrastrukturën e përdorur nga e gjithë aleanca.
Sipas DPA, kontributi financiar që SHBA ofron në NATO për fondin e përbashkët nga viti 2021 do të ulet nga 22% në 16,35%, kurse kontributi gjerman do të ulet nga 14,8% në 16,35%. Boshllëku financiar do të kompensohet në mënyrë proporcionale nga vendet e tjera të NATO-s, (me përjashtim të Francës). Për Gjermaninë kjo do të thotë, se mekanizmi i ri shpërndarës (nëse shpenzimet mbeten të pandryshuara) do të kërkojë nga Gjermania një shpenzim shtesë prej 33 milionë eurosh. Përkundër kësaj, SHBA mund të kursejë më shumë se 20 milionë euro.
Sinjal për Donald Trump?
Në Bruksel dhe Berlin shpresohet, se ujdia për modelin e ri të financimit mund të zbusë grindjen për shpenzimet që duhen dhënë drejtpërdrejt për mbrojtjen. Presidenti amerikan, Donald Trump kërkon nga Gjermania dhe partnerë të tjerë të aleancës të rrisin shpenzimet për mbrojtjen deri në vitin 2024 në të paktën 2% të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo përqindje, sipas planifikimeve të deritanishme për vitet e ardhshme, nuk ka për t’u arritur nga Gjermania, gjë të cilën Trump e kritikon vazhdimisht. Aktualisht Gjermania jep për ushtrinë e saj afër 1,4% të prodhimit të brendshëm bruto./dw/