Gjermania kërkon fuqi punëtore nga Ballkani Perëndimor, tani nuk ka nevojë të dini gjuhën gjermane

21 janar 2023 | 15:44

Rritet kontingjenti i imigrantëve sipas rregullores së Ballkanit Perëndimor. Sipas ministrit federal të Punës te Gjermanisë, projektligji i ri për migrimin e fuqisë punëtore do të jetë gati në mars. Ndër të tjera, ai parashikon rritjen e kontingjentit të migracionit me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor: Migracion pa kualifikim

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë. Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane.

Siç tha për DW një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, deri më 31 dhjetor 2022, në Regjistrin Qendror të të Huajve, (AZR) figuronin rreth 62 000 imigrantë me leje qëndrimi në bazë kësaj rregulloreje. Sipas zëdhënësit, mendohet që numri faktik të jetë më i lartë, sepse evidentimi statistikor i imigrantëve nga Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ka filluar të bëhet që nga viti 2020.

Rregullorja e BP: Kontingjenti i vizave është shteruar

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat. Si rritja e kontingjentit ashtu edhe heqja e afatit janë dy masa që përputhen jo vetëm me nevojën e tregut gjerman për fuqi punëtore, por edhe me dëshirën e shtetasve të këtyre vendeve për të emigruar në Gjermani.

Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, konsullatat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë dhënë në vitin 2022, 25 000 viza sipas kësaj rregulloreje, duke shteruar kështu kontingjentin e përcaktuar nga ligji. Numri i kërkesave për vizë sipas rregullores së Ballkanit Perëndimor është shumë më i lartë, i tha DW një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.

Aktualisht 2 milionë vende pune të pazëna

Sipas projektligjit të ri të migracionit, përllogaritet që në bazë të këtyre ndryshimeve në Gjermani të vijnë mesatarisht deri në 65 000 fuqi punëtore të reja në vit.  Për shumë ekspertë kjo nuk e plotëson aspak nevojën e Gjermanisë për fuqi punëtore.  Siç del në pah nga një studim i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë që u prezantua në mes të janarit në Berlin, Gjermania që tani ka 2 milionë vende pune të pazëna. Nga kjo mungesë punëtorësh ekonomia më e madhe e Evropës ka 100 miliardë euro më pak të ardhura kombëtare në vit. (DW)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në “Anfield Road” nuk ka fitues. Përballja e gjigandëve, mes…