Gjermania kërkon infermierë nga Kosova dhe Shqipëria
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, do të kërkojë ndihmë në Evropën Juglindore për zgjidhjen e problemit me mungesën e personelit në shëndetësi.
Në veçanti ai do të kërkojë infermierë në Kosovë dhe Shqipëri, pasi sipas tij këto dy vende kanë potencial shumë të lartë të fuqisë së re punëtore.
“Përgatitja e personelit atje është shpesh më e mirë se sa mendojmë ne”, ka thënë Spahn për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”.
Pavarësisht kësaj, ai ka pranuar se ka shumë probleme të mëdha me dhënien e vizave.
Spahn ka thënë se Gjermania ka nevojë për rreth 50 000 persona që punojnë në shëndetësi dhe sektorin e përkujdesjes për të moshuarit, transmeton “DW”.
“Duhet të kërkojmë ndihmë në vendet jashtë Gjermanisë”, ka thënë ai.
Në Gjermani nuk ka më gati asnjë spital apo institucion për përkujdesjen që të mos ketë fuqi punëtore nga vendet tjera.
Ministri i Punës Hubertus Heil është duke planifikuar të fusë të drejtën që të huajt të marrin vizë për gjashtë muaj me qëllim që të kërkojnë punë në Gjermani.