Gjermania i kërkon Rusisë dhe Iranit t’i bëjnë presion Assadit
Gjermania i kërkoi Rusisë dhe Iranit t’i bëjnë presion Qeverisë së Sirisë për t’i dhënë fund “masakrës” në enklavën e Goutas Lindore, ku, sipas një grupi të pavarur monitorues, në dy ditë janë vrarë së paku 250 civilë nga sulmet ajrore.
“Dikush duhet të pyesë ku është Rusia, ku është Irani, që janë zotuar në Asatana se do të garantojnë armëpushim në Goutan Lindore”, tha Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, duke iu referuar bisedimeve për paqe në Siri, që janë zhvilluar në kryeqytetin e Kazakistanit.
“Pa mbështetjen e këtyre dy aleatëve, regjimi i presidentit sirian, Bashar al-Assad, nuk do të ishte aty ku është sot dhe, pa dyshim, pa këtë mbështetje, ky regjim do të tregonte më shumë gatishmëri për të negociuar në procesin e OKB-së”, shtoi Seibert.
Reagimi vjen pasi Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut ka thënë se së paku 250 civilë, përfshirë 58 fëmijë, janë vrarë në Goutan Lindore që nga mbrëmja e 18 shkurtit dhe se 1,200 të tjerë janë plagosur, përcjell REL.
Rusia dhe Irani i kanë dhënë mbështetje politike dhe ushtarake Qeverisë së Assadit gjatë luftës shtatëvjeçare në Siri.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka mbrojtur fushtaën e sulmeve në Goutan Lindore, duke thënë se ajo ka në shënjestër “terroristët” dhe se nuk është e drejtuar kundër civilëve.
Gouta Lindore kontrollohet nga rebelët sirianë. Rreth 400,000 njerëz jetojnë në këtë enklavë, e cila është nën rrethim qysh në vitin 2013.