Gjermania kufizon “Facebook”-un për mbledhjen e të dhënave
Zyra Federale e Konkurrencës (FCO) në Gjermani ka njoftuar këtë të enjte se do të imponohen kufizime të reja mbi mënyrën sesi “Facebook” mbledh të dhënat e përdoruesve nga aplikacionet “Whatsapp” dhe “Instagram”, sikurse edhe nga faqet e internetit të palëve të treta, përmes integrimit të opsioneve të tilla si butonat “Pëlqej”.
Përdoruesve, në vend që t’iu kërkohet të pranojnë se të dhëna të caktuara do të grumbullohen në llogaritë e tyre në “Facebook” bazuar mbi një marrëveshje të nënshkruar një herë që prej krijimit të llogarisë (termat dhe kushtet), duhet t’iu kërkohet në të ardhmen mirëkuptimi për çdo rast.
“Në të ardhmen, ‘Facebook’ nuk do të mund të lejohet më të detyrojë përdoruesit e tij të bien dakord me mbledhjen praktikisht të pakufizuar dhe transferimin e të dhënave nga jashtë ‘Facebookut’ në llogaritë e tyre të këtij rrjeti social”, ka deklaruar shefi i FCO-së, Andreas Mundt.
Ai ka shtuar se nëse përdoruesit nuk e japin mirëkuptimin e tyre, “Facebook” nuk duhet t’i përjashtojë ata nga shërbimet e tij dhe duhet të ndalet së mbledhuri dhe bashkuari të dhënave nga burime të ndryshme.
Zyra e drejtuar prej tij zbuloi se, “Facebook” ka një pozicion “dominues” mes rrjeteve sociale në Gjermani, teksa 23 milionë përdoruesit e përditshëm të tij përfaqësojnë 95 për qind të tregut, duke nënkuptuar kështu se nuk ekziston një shërbim alternativ për shumicën e njerëzve.
Kjo, për autoritetin në fjalë gjerman, nënkupton se sjellja e “Facebook”-ut përfaqëson mbi të gjitha të ashtuquajturin abuzim shfrytëzues. “E vetmja zgjidhje që kanë përdoruesit tani është, ose të pranojnë kombinimin e plotë të të dhënave, ose pengohen të përdorin rrjetin social. Në një situatë të tillë kaq të vështirë, zgjedhja e përdoruesit nuk mund të konsiderohet si mirëkuptim vullnetar”. Ka thënë ai.
Në një reagim të tijin, rrjeti social “Facebook” ka njoftuar se do të apelonte vendimin e Zyrës Federale të Konkurrencës në Gjermani./tch/