Gjermania lejoi vaksinën në njerëz kundër virusit “Korona”, ja mosha e vullnetarëve
Gjermania i dha dritën e gjelbër testimit të parë klinik të një vaksine për virusin “Korona”. Instituti Paul Ehrlich njoftoi se rregullatori i vaksinave në Gjermani e ka miratuar testimin te njerëzit të vaksinës së mundshme kundër virusit “Korona”, e cila është zhvilluar nga kompania gjermane bioteknike “Biontech” dhe gjiganti amerikan farmaceutik “Pfizer”.
Testimi do të kryhet në fazën e parë me 200 vullnetarë të shëndetshëm të moshës 18 deri në 55 vjeç. Në fazën e dytë testimi do të përfshijë edhe njerëz me rrezik më të lartë nga sëmundja. Instituti “Paul Ehrlich” nuk tha se kur do të nisë testimi, por “Biontech” paralajmëroi përmes një deklarate se do fillojë së shpejti.
Megjithatë, shefi i Institutit “Paul Ehrlich”, Klaus Cichutek, tha se nuk ka gjasa që vaksina për publikun e përgjithshëm të jetë në dispozicion këtë vit. Kompani të ndryshme janë në garë për zbulimin e vaksinës kundër virusit “Korona”, i cili ka prekur mbi 2.6 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë mbi 178 000.