
Gjermania mbyll gjysmën e derës për punëtorët nga Kosova dhe rajoni
Në Gjermani është arritur një marrëveshje e re për formimin e qeverisë së ardhshme, nën drejtimin e kancelarit të pritshëm Friedrich Merz (CDU).
Në qendër të kësaj marrëveshjeje janë politikat e reja të migracionit, kufizimi i ndjeshëm i Rregullores së Ballkanit Perëndimor dhe ndryshimet në ligjin për shtetësinë.
Sipas kontratës qeverisëse, kuota vjetore për leje pune për qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të përgjysmohet – nga 50.000 që u vendos vitin e kaluar, në 25.000.
Kjo prek drejtpërdrejt qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.
Ekspertët argumentojnë se sistemi i migracionit duhet të bazohet më shumë në kualifikime profesionale sesa në origjinën gjeografike.
Migracioni: Kontrolle dhe kthime
Po ashtu, do të ashpërsohen rregullat për marrjen e shtetësisë gjermane: në të ardhmen, ajo nuk do të mund të merret më pas tre vitesh qëndrimi, por vetëm pas pesë vitesh.
Masat përfshijnë gjithashtu ndalimin e bashkimeve familjare për disa kategori refugjatësh dhe përfundimin e pranimeve vullnetare, përfshirë për ata nga Afganistani.
Kancelari i ardhshëm Friedrich Merz e përshkroi marrëveshjen si një “sinjal të fortë për Evropën”, duke shtuar se “Gjermania është në rrugën e duhur”, se “Evropa mund të mbështetet te Gjermania”, dhe – në drejtim të presidentit amerikan Donald Trump – se Gjermania do të përmbushë detyrimet në fushën e mbrojtjes dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e saj.
Përtej migracionit, marrëveshja parashikon masa për të ringjallur ekonominë gjermane pas tre vitesh recesion: ulje taksash për sipërmarrjet, përjashtim nga tatimi i orëve shtesë të punës dhe më shumë fleksibilitet për pensionistët që duan të punojnë.
Ndërkohë, Ballkani Perëndimor mbetet në axhendën ndërkombëtare të Berlinit. Procesi i Berlinit do të vijojë si platformë për mbështetjen e vendeve të rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian./DW/