Gjermania me njoftim të rëndësishëm për mërgimtarët që ia mësyjnë Kosovës
Në prag të pushimeve verore, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka njoftuar se Kosova më nuk është pjesë e listës së shteteve që Gjermania i konsideron me rrezik të lartë të infektimit me Covid-19.
Kosova do të largohet nga kjo listë zyrtarisht më 13 qershor.
Lajmi është bërë me dije në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Gjermanisë.
“Ndryshimet e fundit: Lajmet (me efekt nga 13 qershor 2021, Kosova nuk është më një zonë rreziku, situata epidemiologjike)”, është thënë në njoftimin e MPJ-së së Gjermanisë.
Por, kjo ministri ka paralajmëruar qytetarët që të mos udhëtojnë drejt Kosovës për udhëtime të panevojshme turistike.
“Përhapja e Covid-19 vazhdon të çojë në kufizime në trafikun ajror dhe udhëtimin ndërkombëtar dhe dëmtimin e jetës publike. Paralajmërimet lëshohen kundër udhëtimeve të panevojshme turistike në Kosovë deri më 12 qershor 2021. Udhëtimet e panevojshme turistike në Kosovë nuk rekomandohen me efekt nga 13 qershori 2021”, është thënë në njoftimin e MPJ-së gjermane.
MPJ-ja gjermane ka këshilluar qytetarët që të përcjellin lajmet për të marrë informacionet e fundit, meqenëse situata mund të ndryshojë.