Gjermania – Mes sigurisë, eksportit, importit dhe fuqisë punëtore

01 shkurt 2025 | 19:20

Shkruan: Agron Hoti

Ekonomia e Gjermanisë që pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe Lindje të Mesme ka filluar të ngadalësojë, ndaj dhe Evropa është në krizë. Luftërat godasin më së shumti ato shtete që janë të varura nga eksporti dhe importi i energjisë. Gjermania eksporton mbi 50% të GDP-së, ndërsa importon mbi 50% të energjisë. Një vendi që varet shumë nga eksporti dhe importi i energjisë i duhet qetësi, sepse pa qetësi, as mund të eksportojë mallra, sepse humben tregjet, e as mund të importojë energji, sepse rrezikohen rrugët e importit. Rritja e tarifave të importit të paralajmëruara nga SHBA do t’i godasë para se gjithash eksportet gjermane.
Për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania ka humbur tashmë tregjet e mëdha në Rusi, Ukrainë, Bellorusi, dhe pothuajse në shumicën e ish-republikave sovjetike që vazhdojnë të jenë satelite të Rusisë. Gjermania është duke humbur treg edhe në Azi Lindore dhe Juglindore si rezultat i rritjes së ndikimit të Kinës dhe Japonisë në ato rajone. Ndalja e importit të energjisë ruse e ka detyruar Gjermaninë të kërkojë alternativa furnizimi me energji, e kjo i ka rritur automatikisht çmimet dhe e ka varfëruar shportën e tryezës gjermane. Reduktimi i eksporteve dhe diversifikimi i energjisë e kanë ndalur, së paku hëpërhë, ekonominë gjermane. Lufta në Lindje të Mesme vetëm sa e rrit pasigurinë e Gjermanisë për të importuar energji nga ky rajon dhe kjo automatikisht e rrit çmimin e energjisë dhe varfëron popullin gjerman.
E për të siguruar eksporte dhe importe, Gjermanisë i duhet të investojë më shumë në siguri kolektive të NATO-s siç po kërkon Trump. Por, rritja e shpenzimeve në siguri do të thotë më pak ekonomi, së paku hëpërhë. Më pak ekonomi do të thotë më pak buxhet vjetor shtetëror, më shumë papunësi e më shumë pakënaqësi qytetare. Sa më shumë pakënaqësi qytetare aq më shumë po fitojnë partitë e ekstremit të djathtë, në këtë rast AfD.
Sfida tjetër që po e dridh Gjermaninë është sigurimi i fuqisë punëtore nga jashtë. Në fundvitin që shkoi, Kancelari Scholz pati thënë në Bundestag afërsisht kështu: “Pa punëtorë të huaj, ekonomia gjermane s’ia del”, sepse rënia demografike dhe plakja e popullsisë janë duke e gërryer ekonominë dhe shtetin social të Gjermanisë. Mbi 1 milionë gjermanë vdesin në vit, afro 800.000 lindin në vit, ndërkohë që mbi 1 milionë gjermanë ikin nga Gjermania brenda një viti.
Nëse Gjermania nuk pranon së paku nga 1 milionë të huaj brenda vitit, atëherë deri në vitin 2080 apo më së largu 2100 mund të mos ketë më asnjë gjerman. Ndaj, shteti gjerman, edhe pse i di shumë mirë këto statistika të frikshme, nuk mund t’ua thotë qytetarëve kaq hapur, ngase kështu vetëm sa do të rritet pakënaqësia ndaj të huajve. Shteti gjerman e di shumë mirë nevojën për fuqi punëtore të jashtme, sepse pa të e humb konkurrencën në glob. Refugjatët sirianë dhe ukrainas e kanë mbushur hëpërhë këtë boshllëk. Përderisa ukrainasit janë të pranueshëm, sirianët dhe në përgjithësi popullsitë nga Afrika dhe Lindja e Mesme nuk është se pranohen lehtë nga shoqëria gjermane për shkak të dallimeve kulturore dhe kjo po dëshmohet në forma të ndryshme.
E vetmja zgjidhje për Gjermaninë për të siguruar fuqi punëtore është rritja e kuotave për të marrë sa më shumë punëtorë nga Ballkani dhe ish-republikat sovjetike, kjo për shkak se punëtorët nga këto vende janë më të pranueshëm për popullsinë në Gjermani. Sigurimi i fuqisë punëtore që është më e pranueshmja për popullsinë e saj do të jetë sfida e Gjermanisë për tërë shekullin 21. Përderisa Gjermania do të duhet të sigurojë fuqi punëtore nga Ballkani dhe jo vetëm, shtetet e Ballkanit do të duhet që të bëjnë të pamundurën që të parandalojnë ikjen e rinisë drejt Gjermanisë dhe BE-së, kjo sepse një zbrazje e Ballkanit nga rinia do ta përthajë këtë rajon, siç në fakt veç ka filluar ta përthajë, shih shkretimin e fshatrave anekënd Ballkanit.
Politika gjermane ka hyrë në një rreth vicioz mes rritjes së shpenzimeve të sigurisë kolektive të NATO-s, vazhdimit të eksporteve nëse e mundshme dhe rritjes së tyre, sigurimin e importit të energjisë dhe para se gjithash sigurimin e fuqisë punëtore nga jashtë me presion sa më të vogël nga opinioni publik në Gjermani. Në këtë kuadër duhet kuptuar shkuarjen në zgjedhje të parakohshme të Gjermanisë dhe tensioneve në Bundestag, ku AfD po bëhet faktor gjithnjë e më i paanashkalueshëm dhe ku partive tradicionale po u duhet që edhe me AfD të ndërtojnë konsensus kombëtar për të dalë disi nga rrethi vicioz ku është futur Gjermania.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Vesa Broja ka…