Gjermania ndan 6.5 milionë euro për krijimin e vendeve të punës në bujqësi
Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, e përfaqësuar nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, kanë nënshkruar marrëveshjen financiare të grantit për “Shërbime financiare për krijimin e vendeve të punës në sektorin e bujqësisë, fondi për garantimin e kredive III” në vlerë prej 6.5 milionë euro.
Mjetet janë të dedikuara për sektorin e bujqësisë.
Gjatës ceremonisë ministri, Bedri Hamza, ka falënderuar ambasadorin gjerman dhe taksapaguesit e këtij shteti për kontributin e vazhdueshëm në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës.
Për më tepër, ministri Hamza ka shtuar se kjo është marrëveshja e tetë që u nënshkrua me Qeverinë Gjermane që nga marrja e mandatit në shtator të viti 2017.
Ai ka thënë se që nga marrja e këtij mandati, është zotuar për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë, ku një prej instrumenteve është edhe rritja e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive.
Hamza ka pohuar se këto mjete janë donacion (para pa kthim) nga Qeveria Gjermane si mbështetje direkte për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës Qeverisë së Gjermanisë.
“Shteti gjerman është njëri ndër donatorët më të mëdhenj për Kosovën dhe që nga viti 1999 përmes kontributit financiar dhe teknik është prezent në Kosovë me shumën përmbi 500 milionë euro, prej të cilave më shumë së 80 për qind prej tyre janë grant. Ndërsa Fondi për Garantimin e Kredive vetëm nga Qeveria Gjermane deri më tani ka pranuar kontribut financiar apo para falë në vlerë prej 14 milionë euro, çka mundëson që sektori privat, përfshirë këtu të rinjtë dhe gratë të kenë qasje më të lehtë në financimin e bizneseve të tyre dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Fondi për Garantimin e Kredive është një institucion i cili është themeluar dhe funksionalizuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Institucioneve të Kosovës dhe Donatorëve”, ka thënë Hamza.
/Epoka e re/