Gjermania ndihmon Kosovën me 60 milionë euro grante
Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë e përfaqësuar nga udhëheqës i delegacionit gjerman nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Schattschneider, kanë zhvilluar diskutime për bashkëpunimin financiar dhe teknik dyvjeçar në mes të dy qeverive.
Gjatë takimit u nënshkrua protokolli përmes të cilit Qeveria e Gjermanisë zotoi 60.05 milionë euro grant mbështetje për Kosovën.
Mbështetja do të ofrohet për projekte në tre sektorë të ndryshëm siç janë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, demokracia, shoqëria civile e administrata publike dhe energjia.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri Hamza ka theksuar se Gjermania është njëri ndër partnerët kryesorë drejt arritjes së aspiratave të Kosovës për zhvillim ekonomik dhe integrim në Bashkim Evropian, duke shtuar tutje se zotimet për periudhën dyvjeçare do të ndikojnë direkt në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës, për çka ai i falënderoi shumë.
Në anën tjetër Schattschneider ka thënë se Qeveria Gjermane është krenare që e mbështetë Qeverinë e Kosovës si partner i afërt në rrugën e saj për Bashkim Evropian dhe është falënderuese për bashkëpunimin shumë të mirë që kemi me Ministrinë e Financave dhe institucionet tjera partnere.
/Epoka e re/