Gjermania në valën e katërt të Covid-19
Gjermania është zyrtarisht mes një tjetër vale përhapjeje të koronavirusit. Bëhet fjalë për të katërtën, e cila ushqehet nga përhapja e variantit Delta.
Prej disa ditësh infektimet ditore nuk bien nën 8 mijë raste. Instituti Robert Koh njoftoi se rastet pozitive u rritën nga 4 në 6% brenda një jave.
Megjithatë, shifrat e vdekjeve nuk kanë pësuar rritje dhe kjo falë ritmeve të larta të vaksinimit të popullsisë.
Deri më tani janë imunizuar mbi 60% e popullsisë. Po sipas ekspertëve të Institutit Kombëtar të Virologjisë, infektimet me mutacionin me origjinë indiane përbëjnë 99% të rasteve. Më të prekurit janë të rinjtë.
Shifrat e valës Delta janë të larta edhe në vende të tjera evropiane. Në Itali, 24-orëshi i fundit shënoi mbi 7400 raste infektimesh ditore, shifra më e lartë prej mesit të Majit.
Të larta por të qëndrueshme, shifrat janë edhe në Francë, Britani të Madhe e Shtetet e Bashkuara.
Pas më shumë se 3 muajsh shifrash rekord të viktimave, në Rusi numri i tyre ka nisur të marrë tendencën rënëse edhe pse ndodhet në kuotat më të larta të gjithë pandemisë.