Gjermania ndan 4 milionë euro për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit
20 dhjetor 2019
| 14:54
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka njoftuar se qeveria gjermane ka dhuruar 4 milionë euro si mbështetje për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.
“Sot ne informuam zyrtarisht qeverinë shqiptare se Qeveria Federale do të mbështesë rindërtimin pas tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit me grante në shumën e 4 milionë euro përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). Me të do të rindërtohen shkolla dhe ndërtesa publike në përputhje me standardet më të fundit të sigurisë dhe efiçensës së energjisë”, ka njoftuar ambasada gjermane.
Sipas këtij njoftimi, ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, ka thënë se Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë për të rindërtuar shkollat dhe institucionet publike.