Gjermania pezullon ndeshjet e futbollit
13 mars 2020
| 17:02
Janë pezulluar të premten edhe ndeshjet e kampionatit gjerman në futboll. Vendimi që vlen për ndeshjet e Bundesliga 1 dhe Bundesliga 2 është marrë pasdite nga Liga Gjermane e Futbollit (DFL).
Fillimisht ishte pritur që ndeshjet e Bundesligës të luhen këtë fundjavë. Vetë Bundesliga kishte propozuar që masa e pezullimit të hyjë në fuqi të martën.
Por përhapja e mëtejme e koronavirusit ka bërë që ai propozim të hedhet poshtë. Të premten pasdite është vendosur që edhe ndeshjet e Bundesligës të pezullohen deri më 2 prill.
Kështu të gjitha ligat e mëdha kanë pezulluar aktivitetin për shkak të koronavirusit. Janë anuluar edhe ndeshjet evropiane që është dashur të zhvillohen javën e ardhshme.