Gjermania pranë racionimit të gazit pasi Rusia ul ndjeshëm furnizimet
Gjermania ka aktivizuar të enjten, më 23 qershor fazën e dytë të planit të saj të emergjencës për furnizimet me gaz natyror, duke thënë se vendi përballet me një “krizë” dhe duke paralajmëruar se objektivat e magazinimit të rezervave për sezonin dimëror janë në rrezik për shkak të pakësimit të furnizimit nga Rusia.
Qeveria gjermane ka thënë se vendimi për të ngritur nivelin në “alarm” pason uljen e dërgesave ruse të gazit të bëra që nga 14 qershori dhe rritjen e vazhdueshme të çmimit të tregut për gazin. Faza e tretë dhe më e lartë është niveli i “emergjencës”, që do të lejonte shtetin të raciononte furnizimin me gaz.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë të enjten në një deklaratë për mediet se “situata është serioze dhe dimri do të vijë”.
Ai ka thënë se ndërsa objektet e depozitimit të gazit janë aktualisht të mbushura me 58 për qind kapacitet – më i lartë se në këtë kohë të vitit të kaluar – qëllimi për të arritur 90 për qind deri në dhjetor nuk do të jetë i arritshëm pa u marrë masa të mëtejshme.
“Reduktimi i furnizimit me gaz është një sulm ekonomik ndaj nesh nga (presidenti rus Vladimir) Putin. Ne do të mbrohemi ndaj kësaj situate. Por vendi ynë do të duhet të shkojë në një rrugë në ngjite tashme. Edhe nëse nuk mund ta ndiejmë akoma: jemi në një krizë gazi”, ka thënë Habeck.
Qeveria ka thënë se kishte informuar paraprakisht partnerët evropianë për masën.