Gjermania publikon listën e re të vendeve me rrezik të lartë nga Covidi, nuk përfshihet Kosova
Britania e Madhe dhe tetë vende të Afrikës jugore janë hequr nga lista e zonave të varianteve të virusit. Në listën e vendeve të rrezikuara janë futur disa vende të tjera, por jo edhe Kosova.
Britania e Madhe, Afrika e Jugut, Namibia, Botsvana, Mozambiku, Zimbabve, Malavi, Eswatini dhe Lesoto nuk konsiderohen më në Gjermani si zona të variantit të virusit, njoftoi Instituti Robert Koch (RKI) dhe Ministria e Jashtme në Berlin. Këto shtete renditen tani në grupin e vendeve me rrezik të lartë. Për njerëzit që vijnë nga këto vende dhe janë të vaksinuar kundër Coronës, kjo do të thotë se udhëtimi do të jetë shumë më i lehtë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor
Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë për momentin në listën e vendeve të rrezikuara nga virusi Corona. Kjo do të thotë se për udhëtarët që vijnë në Gjermani nga këto vende nuk ka obligim karantinimi. Vetëm personat e pavaksinuar, që vijnë me avion, duhet të kenë një test negativ, antigjen apo PCR. Të vaksinuarit dhe të shëruarit në gjashtë muajt e fundit nuk kanë nevojë për teste dhe karantinim.
Gjermania e rrethuar nga vendet e rrezikuara
Klasifikimi si zonë me rrezik të lartë ka efekte të rëndësishme vetëm për udhëtarët e pavaksinuar: ata duhet të kenë teste negative dhe të qëndrojnë në karantinë për dhjetë ditë kur hyjnë në Gjermani. Pas pesë ditësh, ata mund të testohen, e nëse testi rezulton negativ, lirohen nga karantina. Personat e vaksinuar apo shëruar në gjashtë muajt e fundit nuk kanë nevojë për karantinë. Gjermania aktualisht i klasifikon të gjitha vendet fqinje si zona me rrezik të lartë – me përjashtim të Austrisë dhe Luksemburgut.
Ndërsa kur dikush vjen nga zonat e variantit të virusit në Gjermani – ka edhe një detyrim karantine 14-ditore, e cila nuk mund të shkurtohet. Kjo vlen edhe për ata që janë vaksinuar apo shëruar. Përveç kësaj, ekziston një ndalim i përgjithshëm i ardhjes së shtetasve të këtyre vendeve. Kjo nuk vlen për shtetasit gjermanë apo të huajt që kanë vendbanimin në Republikën Federale të Gjermanisë, si dhe grupe të caktuara profesionale.
Varianti shumë ngjitës Omikron u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut para më shumë se një muaj. Ndërkohë, varianti Omikron po përhapet me shpejtësi edhe në Gjermani. Sipas ekspertëve, Omikron së shpejti do të jetë varianti dominues në Gjermani.
Kërkohen rregulla të reja
Ministri i Shëndetësisë i Bavarisë, Klaus Holetschek, ka bërë thirrje për rregulla të njëjta në të gjithë vendin, në prag të konsultimeve për masat e reja që do të mbahen të premten. “Omikroni me sa duket do të zhvendosë variantin Delta brenda një kohe të shkurtër, kështu që ne duhet të vendosim kursin tani dhe të përgatitemi mirë, që të mos futemi të papërgatitur në valën e pestë”, tha politikani i CSU-së, për gazetën “Augsburger Allgemeine”. Ai pret që “Konferenca e kryeministrave me 7 janar të miratojë masa me të cilat mund t’i japim fund variantit Omikron në mbarë vendin”.
Instituti Robert Koch (RKI) tani po regjistronnumra në rritje të infektimeveme virusin Corona. Të martën RKI raportoi për 30,561 infeksione të reja, që është 9,481 raste më shumë se të martën e kaluar.
Incidenca shtatëditore është rritur në 239.9 nga 232.4 sa ishte një ditë më parë. Vlera tregon se sa njerëz janë infektuar për 100,000 banorë në shtatë ditët e fundit. 356 persona të tjerë vdiqën nga virusi. RKI përsëri theksoi se në kohën e festave janë bërë më pak teste, ndaj shifrat mund të jenë edhe më të larta. Ndërsa numri i pacientëve të infektuar me virusin Corona në terapi intensive në spitale ishte 3,771 të hënën. /dw/