Gjermania reagon pas deklaratave të Trumpit për Kanadanë e Grenlandën

08 janar 2025 | 15:24

Gjermania i ka vërejtur deklaratat e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, rreth Kanadasë dhe Grenlandës dhe i qëndron parimit ndërkombëtar se kufijtë nuk duhet të lëvizen me forcë, tha të mërkurën një zëdhënës qeveritar gjerman.

“Si gjithmonë, vlen parimi i respektueshëm i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe i Akordeve të Helsinkut, më saktësisht që kufijtë nuk duhet të lëvizen me forcë” – tha zëdhënësi qeveritar në një konferencë të rregullt për gazetarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zëdhënësi refuzoi të komentonte, kur u pyet se sa seriozisht po i merrte Gjermania deklaratat e Trumpit.

Të martën, Trumpi refuzoi që t’i përjashtonte veprimet ushtarake ose ekonomike për ta siguruar marrjen e kontrollit të Kanalit të Panamasë dhe Grenlandës dhe gjithashtu e përmendi idenë e shndërrimit të Kanadasë në njërin nga shtetet e ShBA-së.

Në llogarinë e tij në rrjetin “Truth Social”, presidenti i zgjedhur amerikan ka publikuar dy harta ku Kanadaja paraqitet si pjesë e territorit të Shteteve të Bashkuara.

Ndaj deklaratave të Trumpit ka reaguar edhe Franca. Kryediplomati francez ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do të tolerojë sulme ndaj kufijve të vet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga PDK-ja me numër 77, Shahin Dervishaj,…