
Gjermania riatdheson gra dhe fëmijë nga Siria
Gjermania ka riatdhesuar 10 gra dhe 27 fëmijë nga një kamp në Sirinë verilindore, ku po mbaheshin anëtarë të dyshuar të grupit militant Shteti Islamik.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se grupi është riatdhesuar nga kampi Roj, duke e cilësuar këtë operacion si “jashtëzakonisht të vështirë”.
Ajo ka thënë se disa nga nënat janë dërguar në paraburgim menjëherë pas mbërritjes në Gjermani.
“Fëmijët, gjithsej 27, në fund të fundit, janë viktima të grupit militant Shteti Islamik, dhe ata kanë të drejtë për një të ardhme më të mirë”, ka thënë Baerbock, duke shtuar se “nënat duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”.
Edhe në muajin tetor të vitit të kaluar, Gjermania ka riatdhesuar 23 fëmijë dhe tetë gra.
Në të njëjtën kohë, Danimarka fqinje ka riatdhesuar 14 fëmijë dhe tre gra.
Baerbock ka falënderuar autoritetet kurde në Siri dhe partnerët amerikanë, të cilët ajo ka thënë se i dhanë mbështetje Gjermanisë.
Gratë, të cilat janë dërguar në paraburgim, sipas prokurorëve, kanë udhëtuar në Siri ose Irak në vitin 2014 dhe i janë bashkuar grupit militant IS.