Gjermania rrezikon të bllokohet për javë të tëra
Drejtuesit e trenave i janë bashkuar protestës njëjavore të fermerëve gjermanë.
Fermerët kanë bllokuar sërish hyrjet e autostradave, duke kërkuar që qeveria të braktisë shkurtimet e planifikuara të subvencioneve të naftës, ndërsa punëtorët e hekurudhave kërkojnë 555 euro më shumë paga, një javë më të shkurtër pune dhe një kompensim të vetëm të inflacionit.
Protestat e fermerëve do të përfundonin me një demonstratë të madhe më 15 janar në Berlin, por presidenti i shoqatës së fermerëve Joachim Rukwied, ka njoftuar se bllokadat e rrugëve mund të vazhdojnë edhe përtej kësaj jave nëse qeveria nuk braktis plotësisht shkurtimet e planifikuara për subvencionet e naftës bujqësore.
Sipas agjencisë “Forsa”, 81 për qind e gjermanëve janë dashamirës ndaj protestave të fermerëve: 98 për qind e mbështetësve të AfD-së mbështesin fermerët, rreth 80 për qind e votuesve kristiandemokratë dhe liberalë dhe 60 për qind e të Gjelbërve dhe 70 për qind e votuesve të SPD-së.
Nëse deri të premten nuk marrin një ofertë të re nga menaxhmenti, janë të mundshme greva të reja të punonjësve të hekurudhave, ka njoftuar presidenti i Sindikatës Gjermane të Drejtuesve të Trenave (GDL), Claus Weselsky.
DB u ofron një pagë 11 për qind më të lartë, por ata e refuzojnë si të pamjaftueshme.
Javën e kaluar, DB-ja ka ofruar mundësi më të mëdha për zgjedhjen e orarit të punës.
Grevat janë të zakonshme në jetën e biznesit dhe në përgjithësi nuk janë problem – për sa kohë që bllokimet nuk zgjasin me javë.
Megjithatë, grevat e kësaj jave mund të jenë vetëm fillimi, duke qenë se negociatat për paga më të larta janë duke u zhvilluar në disa industri. Kostot e larta të energjisë dhe çmimet e rritura nuk prekin vetëm kompanitë, por edhe punonjësit.