Gjermania së shpejti me Atashe Rezident në Kosovë për avancimin e FSK-së me standardet e NATO-s
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar se Gjermania shumë shpejt do të emërojë Atashe Rezident në Kosovë, me synimin avancimin e FSK-së në nivelin e standardeve të NATO-s.
Këtë deklaratë Maqedonci e ka dhënë sot në ceremoninë e pranim-dorëzimit të automjeteve që Gjermania i ka dhuruar Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Maqedonci tha se marrëveshja për këtë do të nënshkruhet së shpejti.
“Së shpejti do të nënshkruajmë Marrëveshjen e Mirëkuptimit ndërmjet dy shteteve, dhe Gjermania do të emëroj Atashe Rezident në Kosovë, me synim avancimin e ushtrisë në nivelin e standardeve të NATO-s, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë”, ka deklaruar Maqedonci.
Ndërkohë, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se përmes Atasheut ushtarak do të kenë përfaqësim të përhershëm në Kosovë.
“Dua të ritheksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë të shkëlqyeshme dhe kemi një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, posaçërisht në fushën e sigurisë. Së shpejti ne do të nënshkruajmë një MoU (Memorandum të Mirëkuptimit) dhe përmes Zv Atasheut ushtarak të Gjermanisë do të kemi përfaqësim të përhershëm në Kosovë”, ka deklaruar Rohde.