Gjermania shënoi rënien më të madhe në histori, ekonomia tkurret 9.7 për qind

25 gusht 2020 | 17:27

Ekonomia gjermane u kontraktua me një hap rekord në tremujorin e dytë të vitit, me 9.7 për qind. Shpenzimet konsumatore, investimet e kompanive dhe eksportet kolapsuan në kulmin e pandemisë, tregojnë të dhënat zyrtare nga zyra gjermane e statistikave. Rënia rezulton të jetë edhe më e madhe se ajo e krizës financiare të një dekade më parë, si dhe përfaqëson rënien më të madhe në historinë e Gjermanisë, që prej kohës kur ka filluar edhe raportimi i këtyre të dhënave, në vitin 1970.

Pavarësisht rënies historike të ekonomisë, rezultati është mbi pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Projeksionet flisnin për 10.1 për qind tkurrje ekonomike, shkruan “scantv”.

Shpenzimet u tkurrën me 10.9 për qind, investimet kapitale 19.6 për qind dhe eksportet me 20.3 për qind. Edhe aktiviteti i ndërtimit ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 4.2 për qind gjatë kësaj periudhe kohore. E vetmja e dhënë pozitive rezulton të jetë ajo e shpenzimeve shtetërore, në rritje me 1.5 për qind. Ekspertët shprehen se, tremujori i dytë i vitit, ka qenë një katastrofë për ekonominë më të madhe të Evropës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Los Angeles Lakersi dhe Milwaukee Bucksi janë vetëm një fitore…