Gjermania shënon 75-vjetorin e gjykimeve historike të Nurembergut
Gjermania po shënon 75-vjetorin e fillimit të gjykimeve të Nurembergut, apo të gjykimeve ushtarake të zhvilluara nga forcat aleate, sipas ligjit ndërkombëtar, që sollën para drejtësisë zyrtarët e lartë nazistë.
Një ngjarje përkujtimore në qytetin e Nurembergut, do të mbahet në sallën e gjyqit 600 në Pallatin e Drejtësisë të qytetit bavarez, ku gjyqet filluan më 20 nëntor 1945.
Pjesëmarrja do të jetë e kufizuar për shkak të kufizimeve ndaj pandemisë. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier do të mbajë një fjalim. Në ceremoni do të ketë gjithashtu video-mesazhe nga dëshmitarët, politikanë dhe ekspertë.
Gjyqet e Nurembergut shënuan rastin e parë në histori që zyrtarët kryesorë të një shteti të mbahen përgjegjës për krimet e tyre, para një gjykate ndërkombëtare.
Në gjyqin e parë, 21 anëtarë të rangut të lartë të partisë naziste u shfaqën në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me pyetje nga katër fuqitë aleate – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania dhe Franca.
Ndër të akuzuarit ishin zyrtarët më të lartë nazistë, me përjashtim të Adolf Hitlerit, Joseph Goebbels dhe Heinrich Himmler, pasi ata kishin kryer vetëvrasje.
Gjyqi zgjati më pak se një vit dhe përfundoi me 12 dënime me vdekje, tre dënime të përjetshme, katër burgime të gjata dhe tre u shpallën të pafajshëm.
Ky gjykim u pasua nga 12 gjykime tjera që u zhvilluan midis nëntorit 1946 dhe prillit 1949. Nuremberg ishte një vend simbolik për gjyqet sepse kishte qenë vendi i tubimeve masive të Hitlerit para luftës dhe vendi ku u miratuan ligjet antihebreje më 1935.
Gjyqet e Nurembergut paraqesin themelin e një sistemi global të drejtësisë penale për ata që akuzohen për krime kundër njerëzimit.
Që nga viti 2002, Gjykata Penale Ndërkombëtare me bazë në Hagë (ICC) ka qenë gjykata e vetme e përhershme, e pavarur në botë për shkelje si gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.