
Gjermania shqyrton mundësinë e tërheqjes së rezervave të arit nga ShBA-ja
Gjermania po shqyrton mundësinë e rikthimit të rezervave të saj të arit nga Shtetet e Bashkuara, duke u shqetësuar për politikat e paparashikueshme të presidentit aktual Donald Trump.
Pavarësisht se për dekada të tëra Gjermania ka mbajtur rreth 1200 ton ar, rreth 30% të rezervave të saj totale, në kasafortat e Rezervës Federale të ShBA-së në New York, kjo praktikë ka filluar të vihet në pikëpyetje.
Vlera e këtyre rezervave aktualisht arrin në 113 miliardë euro. Stoqet janë mbajtur jashtë vendit kryesisht për t’i mundësuar Gjermanisë që të përdorte shpejt dollarët në rast të një krize financiare. Megjithatë, tashmë disa zyrtarë të lartë të Unionit Demokristian (CDU) kanë filluar të dyshojnë për këtë strategji dhe kërkojnë një rishikim të saj, transmeton “albinfo.ch”.
“Po, kjo çështje është rihapur”, ka thënë Marco Wanderwitz, ish-ministër dhe anëtar i CDU-së, i cili ka kërkuar për vite me radhë inspektime të rregullta ose rikthimin e arit në Gjermani.
Po ashtu, Markus Ferber, një tjetër anëtar i CDU-së në Parlamentin Evropian, e ka mbështetur këtë kërkesë, duke thënë se zyrtarët e Bundesbank duhet të inspektojnë personalisht rezervat e arit dhe të regjistrojnë rezultatet.
Gjermania ka rezervat e dyta më të mëdha të arit në botë, të cilat janë grumbulluar kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore, si pjesë e sistemit të Bretton Woods.