
Gjermania sot voton për Parlamentin dhe Kancelarin e ri – çfarë duhet të dini
Gjermania do të votojë për Bundestagun e ri në një klimë politike të tensionuar, ku rritja e ekstremit të djathtë ka ngritur shqetësime serioze mbi të ardhmen e demokracisë gjermane.
Të drejtë votimi kanë të paktën 59,1 milionë gjermanë, 7 milionë prej tyre janë votues me origjinë të huaj. Kandidati me shanset më të mëdha për kancelar të Gjermanisë, është Friedrich Merz i CDU-së.
Sondazhet e fundit thonë se CDU/CSU, parti e qendrës së djathtë, del e para me 30.1% të votave. E dyta renditet Alternativa për Gjermaninë, AfD, parti pjesërisht ultra e djathtë, me 20.2%.
E treta renditet SPD, partia socialdemokrate, e qendrës së majtë, me 15.3%;Të Gjelbrit marrin 13.2, ndërsa 3,9% e votuesve gjermanë janë ende të pavendosur për kë do të votojnë.
Disa vëzhgues të huaj thonë se pavarësisht forcimit të AFD-së, në nivel drejtimi federal kjo parti nuk pritet të luajë ndonjë rol.
Të gjitha partitë e kanë përjashtuar bashkëpunimin me të. Merzi e ka theksuar disa herë distancimin nga AfD.
Sipas sondazheve, gjasat më të mëdha i ka një koalicion mes CDU/CSU dhe socialdemokratëve, SPD. Një koalicion i tillë e ka drejtuar Gjermaninë katër herë pas Luftës së Dytë Botërore.