Gjermania tregon se çfarë do të ndodhë të enjten në Procesin e Berlinit
Zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesi i zgjerimit të BE-së janë shqetësim i rëndësishëm për këto vende, por edhe Qeverinë Federale të Gjermanisë.
Kështu deklaroi të martën në Berlin, Jens Plotner, këshilltar për politikat evropiane në qeverinë gjermane, duke rikujtuar se“kjo është përmendur edhe në marrëveshjen e koalicionit dhe vetë kancelari federal i kushton një vëmendje të madhe kësaj teme”.
Duke folur të martën në konferencë për media në lidhje me samitin e Procesit të Berlinit, dhe rëndësinë që kancelari Olaf Scholz i kushton këtij rajoni, Plotner rikujtoi se në vitin e tij të parë si kancelar, Scholz zgjodhi të takojë të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.
“Ky takim ishte në qershor, e gjithashtu ju rikujtoj edhe një udhëtim dyditor në vendet e rajonit. Pra tani ndodhë samiti i Procesit të Berlinit, në të cilin do të bëjmë përparim thelbësor në disa fusha”, deklaroi Jens Plotner, këshilltar për politikat evropiane në Qeverinë e Gjermanisë.
Ai deklaroi se në samitin e së enjtes në kuadër të Procesit të Berlinit, do të jenë të pranishëm krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe presidenten e Komisionit Evropian.
Sa i përket punimeve të samitit, Plotner tha se Brenda tij, një pjesë do t’i kushtohet bashkëpunimit rajonal dhe pjesa tjetër tregut të përbashkët.
Sa i përket tregut, ai tha se kjo është një nga shtyllat e samitit në kuadër të Procesit të Berlinit, që adreson çështjen e sigurisë së furnizimit me energji dhe transformimin e sektorit të energjisë.
Ai tha se gjithçka do të përfundojë deri në drekë, ku pastaj për krerët e qeverive dhe shteteve, zgjedhja e temës është pak më e hapur.
“Në konferencën për shtyp të mbajtur nga Kancelari Federal e Presidenti i Komisionit Evropian, do të jetë edhe nikoqiri i ardhshëm i cili do të bëhet i ditur aty”, tha Plotner.
Ai deklaroi se është shqetësim i kancelarit gjerman, zgjerimi i BE-së, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor dhe kërkon që kjo të arrihet me sukses.
“Që kjo të ketë sukses, ne besojmë se konfliktet duhet të zgjidhen. Mund të gjenden modele bashkëpunimi për të ardhmen”.
Ai e konfirmoi se lufta na Ukrainë ka shtuar urgjencën dhe rritur interesimin e perëndimit që mospajtimeve në pjesë të tjera të Evropës, sikurse në Ballkanin Perëndimor, t’u jepet fund.
“Ne duhet të afrohemi së bashku dhe të sigurohemi gjithashtu se Ballkani Perëndimor bashkëpunon më ngushtë dhe afrohet më shumë me BE-në”, tha Plotner, duke shtuar se “ne gjejmë pjesë të strategjisë ruse këtu, e që është ndarja, në mënyrë që të pozicionojnë vendet kundër njëri-tjetrit”.
Derisa foli për rëndësinë e samitit të Procesit të Berlinit, Plotner deklaroi se pas dy vitesh negociata, të gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor do të nënshkruajë tre marrëveshje, e që do të sjellin përparim të vërtetë për njerëzit e rajonit.
“Njëra është marrëveshje e ndërsjellë për njohjen e letërnjoftimeve, pastaj ajo për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe e treta është një njohje reciproke e kualifikimeve profesionale”.
Plotner deklaroi se çështje tjetër e rëndësishme do të jetë edhe sektori i energjisë, që sipas tij, është për të gjitha vendet evropiane, një sfidë e veçantë.
“Sipas analizave tona, Ballkani Perëndimor përballet me një sfidë edhe më urgjente sesa pjesa tjetër e Evropës”.
Megjithatë, ai nuk la pa përmendur edhe dallimet e mëdha që janë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Meqenëse bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, nuk do të habitet askush, se nuk ka vetëm harmoni, pasi shumë çështje mbesin të kontestuara ndërmjet shteteve”, tha Plotner.
“E përmend vetëm konfliktin e zjarrtë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e ku Gjermania e Franca, po përpiqen ta mbështesin emisarin special, Lajçak, pastaj ka situatë të vështirë në Bosnje-Hercegovinë, tani pas zgjedhjeve”, tha Plotner, duke shtuar se megjithatë:- “besojmë se Procesi i Berlinit mund të japë e mund të gjenerojë vrull pozitiv, dhe se mund të ketë një efekt mbështetës në perspektivën e anëtarësimit në BE”.
Plotner deklaroi se këto janë arsyet përse Gjermania është në humor të mire, që e enjtja do të jetë një tjetër fazë e Procesit të Berlinit, që do të ringjallet.
“Pavarësisht se çfarë do të ndodhë më pas, Gjermania nën lidershipin e kancelarit Scholz, do të vazhdojë të luajë një rol të fortë si koordinator në këtë kanë proces”.