Gjermania vendos kufizime për dhënien e vaksinave të “AstraZenecas”
Komiteti për vaksina në Gjermani ka thënë se me vaksinën kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca, duhet të vaksinohen vetëm personat nën moshën 65-vjeçare.
Komiteti ka cituar “të dhëna të pamjaftueshme” për efektivitetin e vaksinave për personat mbi moshën 65-vjeçare.
Rregullatorët e Bashkimit Evropian kanë thënë se studimet për efikasitet të vaksinës së kompanisë AstraZeneca janë kryer te një numër i vogël i personave të moshuar.
Agjencia Evropiane për Ilaçe pritet të vendosë të premten nëse do të miratojë këtë vaksinë për përdorim në gjithë bllokun evropian.
Mbretëria e Bashkuar e ka përdorur këtë vaksinë në programin e saj për imunizim masiv tash e disa javë, derisa zyrtarët për shëndet publik kanë thënë se vaksina është e sigurt dhe ofron “nivele të larta të mbrojtjes” kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Ky lajm vjen ndërkohë që Bashkimi Evropian është përfshirë në mospajtime me prodhuesit e vaksinave, meqë ata kanë njoftuar se do të ulin prodhimin e vaksinave për shkak të disa ndryshimeve të domosdoshme nëpër fabrika.
Bashkimi Evropian, në anën tjetër, ka thënë se këto kompani duhet të jetësojnë premtimet e veta.
Edhe kompanitë tjera, Pfizer/BioNTech, kanë njoftuar së fundmi se do të bëjnë zvogëlime në dërgesa në BE./rel/