Gjësendet e Jusuf Gërvalles kthehen në vendlindjen e tij
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i ka dorëzuar tetë gjësendet e Jusuf Gërvalles, bashkëshortes së tij, Suzana Gërvalla.
Bazuar në marrëveshjen ndërmjet MKRS-së dhe Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, është realizuar kthimi i tetë gjësendeve të Jusuf Gërvalles, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.
Gjësendet të cilat janë kthyer janë: Pantollanat, xhakavento, këmisha, fanella, këpucët, pasteli i kuq, libreza dhe çakmaku i Jusuf Gervalles.
Ministri Gashi i ka vlerësuar këto gjësende me vlera të rëndësishme historike dhe kulturore, të cilat nga sot do të jenë të ekspozuara në kullën muze të Jusuf Gërvalles, në Dubovik të Deçanit.
Po ashtu Gashi ka thënë se do të ofrojnë mundësi të tjera për ekspozimin dhe kujdesin ndaj tyre. “Ne të njëjtën kohë me lejoni që të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet institucioneve respektive, me theks të veçante në pasurimin e fondeve muze ale për ekspozim të përkohshëm dhe të përhershëm”, është shprehur ministri Gashi.
Ndërkaq Suzana Gervala ka falënderuar ministrin Gashi pasi që pranoi gjësendet e Jusuf Gervalles dhe u shpreh se ndihet e emocionuar njëkohësisht edhe e lumtur që më në fund gjësendet e bashkëshortit të tij do të qëndrojnë aty ku edhe e kanë vendin.