Gjest i jashtëzakonshëm nga legjenda Samuel Eto’o
Jeta të përplas ndonjëherë në disa situata që askush nuk i mendon. Nuk thuhet kot që me fatin nuk mund të luash. Shumëkush nga ne vështirë se e mbajnë mend Norbert Ouona, i cili në vitet 1960-1970 ka qenë kapiten i përfaqësueses së Kamerunit.
Normalisht, bëhet fjalë për një periudhë mjaft të largët nga sot, por historia nuk mund të ç’bëhet, por ajo mund të harrohet ose shmanget, siç po ndodh me 67-vjeçarin e sipërpërmendur.
Ouona sot nuk ka as një çati për të futur kokën dhe nuk bëhet fjalë për një shprehje figurative. Ish-kapiteni është në mëshirë të fatit dhe tanimë i sëmurë. Një sëmundje e rëndë e gruas së tij e shtyu që të shpenzonte të gjithë parat e tij për ta kuruar. Sot, çatia e shtëpisë së tij është rrëzuar dhe ai ndodhet në spital. Sëmundja nuk është e rëndë, por po mendonte se çdo të bënte në ditët me shi të dimrit, raporton “Sportekspres”.
Samuel Eto nuk mund të qëndronte pasiv nga kjo situatë, ku nuk mori as edhe një ndihmë nga drejtuesit e shtetit. Ish-lojtari i Barcelonës nuk është kursyer dhe i ka dhuruar një shifër të konsiderueshme për ushqime. Eto nuk është ndalur me aq, pasi ai ka premtuar se do të ndërtojë një shtëpi të re për ish-kapitenin e Kamerunit. Shteti qëndroi pasiv dhe u desh një legjendë si Eto për të ndihmuar një tjetër legjendë, por të harruar si “Ouona”.