Gjibraltari ndalon një cisternë të naftës me destinacion Sirinë
Autoritetet në Gjibraltar kanë bërë me dije se kanë ndaluar një cisternë nafte, me dyshimin se po bënte bartjen e naftës së papërpunuar në Siri, duke shkelur kështu sanksionet e Bashkimit Evropian (BE).
Një ekip prej rreth 20 marinsave dhe 42 komando, fluturuan nga Britania e Madhe në Gjibraltar për të ndihmuar në kapjen e cisternës, me kërkesë të qeverisë së Gjibraltarit.
Kërkesa për ndalim ishte bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Cisterna dyshohej se bënte bartjen e naftës në rafinerinë e Banias të Sirisë, e cila është subjekt i sanksioneve të BE.
Të dhënat nga Renifitiv Eikon, një burim i të dhënave për lëvizjen e cisternave, tregon se cisterna është ngarkuar nga Irani.
Nëse konfirmohet se cisterna është ngarkuar nga Irani, në përpjekje për ta dërguar në Sirinë e shkatërruar nga lufta, atëherë kjo përbën shkelje të sanksioneve të ShBA-së për eksportuesit iranianë të naftës.
Irani, së bashku me Rusinë, i kanë dhënë mbështetje të rëndësishme presidentit sirian Bashar al-Asad, gjatë gjithë luftës civile të Siri – që tani ka hyrë në vitin e nëntë.
Konflikti, i cili ka filluar me një goditje qeveritare ndaj protestuesve në mars 2011, ka vrarë më shumë se 370 000 njerëz dhe ka zhvendosur miliona.