Gjici: Kukësi do të luajë vetëm për fitore ndaj Wolfsburgut
Kur shorti njohu Kukësin me kundërshtarin e saj në turin e dytë të Ligës së Evropës, Wolfsburgu, thuajse të gjithë tifozët shqiptarë në përgjithësi dhe kuksianë në veçanti ishin të dorëzuar.
Dallimet janë shumë të mëdha mes një ekipi shqiptar dhe atij në Bundesligë, por nga ana tjetër është mëkat që t’i shohësh verilindorët të eliminuar, duke parë performancën e tyre fantastike ndaj Slavias së Sofias në krye me Gegën. Gjithsesi fati vendos në këtë rrugëtim dhe këtë herë nuk ishte me Kukësin. Por nga ana tjetër Safet Gjici mund të jetë i vetmi që flet për fitore te verilindorët. Në një prononcim për “Procesi Sportiv” vazhdon të jetë po aq i bindur mbi idenë e tij.
“Pa diskutim që Wolfsburgu dihet se kush është, por në fushë janë 11 me 11 lojtarë. Ne futemi gjithmonë për fitore. Ia njohim aftësitë dhe gjithë cilësitë, por në fushë ekipet kanë treguar vlera të barabarta. Shembull Tirana dhe Zvezda kishin të njëjtin nivel dhe Tirana mund të fitonte me pak fat. Kjo do të thotë se Kukësi luan për të fituar, pastaj fusha do të flasë vetë. Stafi i ekipit po e përgatit këtë ndeshje për të marrë një rezultat pozitiv”, u shpreh Gjici.