Gjiganti i kriptovalutave ka paraqitur kërkesë për falimentim në SHBA
Shkëmbyesi i kriptovalutave FTX ka paraqitur kërkesë për falimentim në SHBA, duke kërkuar mbrojtje nga gjykata ndërsa kërkon një mënyrë për t’u kthyer paratë përdoruesve.
Ish-shefi Sam Bankman-Fried ka dhënë gjithashtu dorëheqjen si shef ekzekutiv, tha kompania, shkruan BBC.
Kjo vlerësohet si një kthesë masive e fatit për 30-vjeçarin, i cili kishte drejtuar kompaninë e dytë më të madhe të kriptovalutave në botë.
“Më vjen shumë keq, përsëri, që përfunduam këtu. Shpresojmë që gjërat të mund të gjejnë një mënyrë për t’u rikuperuar”, shkroi në Twitter të premten Bankman-Fried, i mbiquajtur “Mbreti i Kriptove”.
Përpara kësaj, Bankman-Fried kishte qenë një nga yjet e skenës së kriptove, duke u krahasuar me manjatin e investimeve Warren Buffett, me një vlerë neto të vlerësuar në më shumë se 15 miliardë dollarë deri të hënën.
Por thashethemet në fillim të kësaj jave se FTX dhe firmat e tjera në pronësi të zotit Bankman-Fried ishin në një terren të lëkundur financiar nxitën një masë klientësh të përpiqeshin të tërhiqnin fondet nga FTX, një shkëmbim që përdoret për të blerë dhe shitur “monedha dixhitale”.
Duke paraqitur falimentimin, kompania mund të vazhdojë të funksionojë, ndërkohë që ristrukturon borxhet e saj nën mbikëqyrjen e gjykatës.
FTX tha se qëllimi ishte “fillimi i një procesi të rregullt për të rishikuar dhe monetizuar asetet për të mirën e të gjithë aktorëve globalë”.