Gjiganti “Shell” vjen në Kosovë, nënshkruan marrëveshje me “AL Petrol”
Kompania më e madhe në botë për derivate “Shell”, të premten ka zyrtarizuar nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me kompaninë “AL Petrol”.
Konkretisht rrjeti i “AL Petrol” do të riemërtohet në “Shell” gjatë muajit prill të këtij viti.
Përfaqësuesit e të dyja këtyre kompanive kanë bërë me dije se sa i rëndësishëm është lajmi që “Shell”-i me produktet e saj tani do të jetë në Kosovë, duke i furnizuar qytetarët e vendit me derivate cilësore dhe me një gamë të gjerë të produkteve të saj.
Me këtë rast drejtori i “AL Petrol”-it, Latif Kryeziu, ka thënë se deri më tani i kanë furnizuar qytetarët e Kosovës për 30 vite me radhë me cilësinë më të mirë të mundshme, në rreth 70 pika. “Sot mburremi që kemi arritur ta sjellim në Kosovë një brend siç është ‘Shell’, që do të ofrojë çmime të përshtatshme për tregun e Kosovës”, ka thënë Kryeziu.
Po ashtu edhe menaxheri i kompanisë “Shell” për Evropën Juglindore, Vim Riegman, ka thënë se të gjitha pikat e “AL Petrol”-it do t’i përmbahen standardeve të “Shell”-it. “Të gjitha pikat do të ofrojnë derivate kualitative, lubrifikant kualitativ, oferta të përshtatshme dhe shërbime kualitative. ‘Shell’-i është prezent në 80 vende të botës dhe i shërben 30 milionë klientëve çdo ditë”, është shprehur Riegman.
Ai ka konfirmuar se do të sjellin edhe produktin më të ri të “Shell”-it, që është “V Power”, produkt me të cilin furnizohet edhe partneri i tyre afatgjatë në Formula 1, Ferrari.
“Shell”-i është kompania e derivateve më e madhe në botë që posedon mbi 43 000 pika në pesë kontinente me rreth 30 milionë konsumatorë në ditë.