Gjiknuri kërkon kthimin e PD-së dhe LSI-së në Komisionin për reformën zgjedhore
Bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dhe përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare PD-së dhe LSI-së për të marrë pjesë në Këshillin Politik.
Në letrën drejtuar Bylykbashit dhe Vasilit, për dijeni edhe të bashkëkryetares tjetër të këtij komisioni, Rudina Hajdari, Gjiknuri ka propozuar që mbledhja e radhës të zhvillohet nesër (enjte) ose të premten.
Opozita nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e të hënës me argumentin e protestës, por nga ana tjetër nuk ka thënë nëse do të kthehet në tryezë dhe kur.
Një ditë më parë, kryedemokrati Lulzim Basha, ka thënë se kthimi i opozitës në Këshillin Politik nuk varet prej tyre, por prej PS-së.
Sa kohë mazhoranca, ka thënë Basha, nuk ka pranuar propozimet e opozitës kjo e fundit nuk mund dhe nuk do të jetë “fasadë” për të.
Letra e plotë e Gjiknurit:
E nderuara Zonja Hajdari,
Të nderuar zoti Oerd Bylykbashi dhe zoti Petrit Vasili,
Nisur nga mungesa e paparashikuar e përfaqësuesve tuaj, (opozitës jashtëparlamentare), në mbledhjen e dakordësuar të datës 18 Maj 2020, si dhe nga nevoja urgjente e adresimit të një numri çështjesh që kanë mbetur pezull për diskutim dhe miratim nga Grupi negociues politik, propozoj thirrjen e mbledhjes së radhës ditën e enjte ose të premte (21/ 22 Maj, ora 10.00 AM ), në të njëjtën vend ku kemi zhvilluar dhe mbledhjet e fundit në Pallatin e Kongreseve.
Mendoj të vazhdojmë me temat që ishin në rendin e ditës të datës 20 maj, pra miratimin e kapitujve që lidhen me kuotat gjinore , periudhën zgjedhore dhe financimin e fushatës zgjedhore.
Grupi i ekspertëve teknikë përfshirë dhe përfaqësuesit tuaj, kanë përgatitur propozime të cilat kërkojnë miratimin tonë për pikat që akoma nuk është gjetur dakodesi. Puna grupit teknik është realizuar sipas metodologjisë së rënë dakord në Grupin negociator si dhe në të janë reflektuar edhe opinionet me shkrim të ekspertëve të ODIHR dhe Këshillit te Evropës.
Mendoj që nuk duhet të humbim më kohë pasi data 31 maj, një datë e propozuar nga ju si afati për përmbushjen e objektivit të reformës zgjedhore me dakordesi, po afron dhe mbetet shumë pak kohë në dispozicion për të adresuar numrin e çështjeve të mprehta që ne kemi mbi tavolinën e negociatave.
Realizimi i reformës zgjedhore është një kusht i rëndësishëm i integrimit evropian , por mbi të gjitha një premisë shumë e rëndësishme për të gjitha palët politike me qellim realizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në vend.
Damian Gjiknuri
Bashkë-Kryetar i Reformës Zgjedhore dhe përfaqësues i PS-së