Gjilan, KPF i rekomandon për Kuvend katër raporte, pritet debat i gjerë në seancë
Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e sotme, e cila është mbajtur nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal raportin e kryetarit të Komunës së Gjilanit për periudhën janar-qershor 2021, raportin financiar për periudhën janar-qershor 2021, raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2020 si dh raportin vjetor janar-dhjetor 2020 të Komisionit Komunal të Aksionarit të NPL “Stacioni i Autobusëve”.
Në raportin e kryetarit, nënvizohen sukseset dhe sfidat e këtij gjashtëmujori, në kushtet e pandemisë, ku megjithatë janë arritur rezultate inkurajuese dhe veçmas gëzon fakti që qytetarët u janë përgjigjur mirë obligimeve të tyre, veçmas tatimit në pronë.
Raportet janë rekomanduar pa asnjë diskutim, ndërkohë që, siç ka thënë kryesuesja Kurteshi-Emini, një debat i gjerë për këto pika pritet të zhvillohet në seancën e Kuvendit Komunal, e cila pritet të mbahet nga fundi i muajit.