Gjilan, pastrimi i lumenjve zvogëloi rrezikun nga vërshimet
Pastrimi i shtretërve të lumenjve, thellimi dhe zgjerimi po vazhdon tani edhe në fshatin Lladovë.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani, ka thënë se gjatë këtij viti është punuar në pastrimin, thellimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve Stanishorka në qytet, në Malishevë, Pogragjë, Bresalc, Kmetoc, Kosaqë dhe Përlepnicë.
“Kjo po bëhet tash dy vjet, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga vërshimet dhe përmbytjet”, ka deklaruar Osmani.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim tregoi se gatë këtij viti është bërë pastrimi i lumit në fshatin Malishevë në tërë gjatësinë e tij rreth 3.5 kilometra. “Kemi pastruar, thelluar dhe zgjeruar lumin në fshatin Përlepnicë 1.2 kilometra”, ka thënë Osmani.
Ai tregoi se kanë pastruar prrockën e fshatit Kosaqë dhe Kmetoc rreth 400 metra.
Sipas tij, është intervenuar në pastrimin dhe largimin e mbeturinave nga lumi Moravë në fshatin Pogragjë të vendi i quajtur “Guveni” afër kalasë 15 kamionë me mbeturina janë nxjerrë nga lumi.
Osmani ka bërë me dije se gjithashtu është rregulluar shtrati i lumit në fshatin Bresalc afër shkollës “Ibrahim Uruqi” dhe është zhvendosur në rrjedhën e tij natyrore duke mbrojtur oborrin dhe objektin e shkollës në fjalë.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim ka theksuar se ky aktivitet do të vazhdojë me intensitet gjatë vitit në pika tjera të komunës si në Zhegër, Livoç, Cernicë dhe në disa lokacione tjera.