Gjilan, përurohet Qendra Ditore për fëmijët me aftësi të veçanta në Arbëri
Është përuruar Qendra Ditore për fëmijët me aftësi të veçanta dhe Fondacioni për Edukim Special dhe Rehabilitim në lagjen Arbëria.
Nënkryetarja Leonora Morina-Bunjaku, në emër të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, shprehu mirënjohje ndaj Fondacionit për Edukim Special dhe Rehabilitim për hapjen e kësaj qendre.
“Hapja e kësaj qendre shënon një kapitull të rëndësishëm në përfshirjen, mbështetjen dhe fuqizimin e fëmijëve me aftësi të veçanta”, tha Morina Bunjaku.
Ajo shtoi se për dhënien në shfrytëzim të objektit të ish-ambulancës në lagjen Arbëria, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me fondacionin.
Sipas saj, në këtë qendër do të ofrohen shërbime për rreth 40 fëmijë me aftësi të veçanta deri në moshën 21-vjeçare. Për këta fëmijë do të kujdeset një ekip profesional prej 15-20 personash nga fusha të ndryshme.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Fondacionit për Edukim Special dhe Rehabilitim, Mimoza Dema, njëherit eksperte e edukimit u shpreh se janë të lumtur që kanë hapur Qendrën Ditore për fëmijët me aftësi të veçanta dhe Fondacionin në Komunën e Gjilanit.
Ajo theksoi se kjo është një ditë e rëndësishme, pasi së bashku po nisin një udhëtim të ri për të përmirësuar arsimimin dhe mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta.
“Mezi presim të shohim ndikimin pozitiv që do të sjellim së bashku”, tha Dema.
Drejtoresha, shtoi se kjo qendër ditore ofron një mjedis mbështetës dhe gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të ndryshme, duke ofruar programe dhe aktivitete të përshtatura për të përmbushur nevojat unike të secilit fëmijë.