Gjilani bën vlerësimin preliminar të dëmeve nga vërshimet, kosto mbi 1.5 milion euro
Komisioni Komunal i Gjilanit i themeluar nga kryetari Lutfi Haziri, pas punës së madhe në pesë ditët e fundit, ka bërë vlerësimin preliminar të dëmeve të shkaktuara si pasojë e vërshimeve. Bekim Bajrami drejtor për Urbanizëm, njëherësh kryetar i Komisionit, ka bërë me dije se në bazë të vlerësimit preliminar, kosto e dëmeve e kalon shifrën 1.5 milion euro.
“Bashkë me anëtarët e Komisionit e kemi bërë vlerësimin në zonën e Stanishorkës, pjesa veriore dhe në Livoç të Epërm. Deri të hënën besojmë se do t’i regjistrojmë të gjitha rastet e prekura edhe në zonën e jugut të lumit Stanishorka, në Livoç të Poshtëm e ndonjë pjesë tjetër. Kosto e dëmeve, sipas vlerësimit preliminar, e kalon shifrën e 1.5 milion euro”, ka thënë Bajrami.
Bajrami ka konfirmuar se dëmet janë kryesisht në objektet familjare, mobileri, inventar, pajisje te ndryshme, aparate, stoqe ushqimore, dëmtime në konstruksion, artikuj biznesi, makineri, automjete, vetura, bujqësi etj.
“Një fat i madh është që lumi Mirusha është mbuluar dhe kanalizuar, duke evituar dëmet edhe më të mëdha në pjesën qendrore të qytetit”, ka deklaruar kryetari i Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në Gjilan, Bekim Bajrami.