Gjilani dhe Ballkani sot luftojnë për fitore
Dy klubet që po e kërkojnë titullin në elitën e futbollit, Gjilani dhe Ballkani, do të përballen sot, me synim që ta marrin maksimumin e pikëve dhe të jenë në garë për titull edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit 2019/2020. Krahas kësaj ndeshje, sot (mërkurë) do të zhvillohen edhe katër ndeshje të tjera të javës së parafundit në Superligë.
Derbi në mes të Gjilanit dhe Ballkanit do të zhvillohet sot (e mërkurë) nga ora 17:00. Fitorja është synimi të dyja skuadrave, pasi janë në garë për titull dhe cilado që të dalë triumfuese nga kjo përballje, do ta diskutojë titullin me skuadrën e Dritës.
Drejtori i Ballkanit, Avni Bytyçi, ka thënë për “Epokën e re” se skuadra nga Suhareka është e përgatitur maksimalisht dhe se synon fitore ndaj Gjilanit. “Për hir të së vërtetës ndeshja ndaj Gjilanit do të jetë shumë e vështirë, pasi ka një ekip të mirë sikurse që e kemi edhe ne. Është vështirë të parashikohet rezultati, por jemi optimistë se mund t’ia dalim nëse ka një referim cilësor. Ne kemi një skuadër të re dhe shumë cilësore, derisa mungesa për këtë ndeshje nuk kemi dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm që ta japim maksimumin”, ka thënë Bytyqi.
Për ndeshjen që zhvillohet sot në Gjilan foli edhe futbollisti Fiton Hajdari, i cili beson se skuadra e tij do të dalë triumfuese ndaj Ballkanit. Diferenca në mes të Gjilanit dhe Ballkanit është vetëm një pikë. “Ndeshja kundër Ballkanit është vendimtare për të dyja ekipet. Duke e parë rëndësinë e takimit, jemi përgatitur mirë dhe synojmë t’i marrim pikët e plota në këtë ndeshje”, ka thënë Hajdari. Ndërsa në stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet përballja mes dy skuadrave nga kryeqyteti, Prishtinës dhe Flamurtarit. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për kuqezinjtë të cilët janë në garë për mbijetesë. Në Drenas, Trepça ’89 kërkon tri pikët e shpresës për mbijetesë ndaj Feronikelit.
IPKO Superligë
Drita – Drenica 1-0
Gjilani – Ballkani
Prishtina – Flamurtari
Feronikeli – Trepça ’89
Llapi – Ferizaj
Dukagjini – Vushtrria
(Veton ZYMBERI)