Gjilani dhe Dukagjini luajnë baras
Gjilani ka luajtur baras me rezultat 1-1 ndaj Dukagjinit në kuadër të javës së 27-të në elitën e futbollit kosovar.
Gjilani pati një rast të mirë shënimi në minutën e 14-të kur Dren Feka gaboi në pasim prapa, por Senad Jarovic nuk ia doli ta shfrytëzojë këtë mundësi.
Vendasit arritën që të kalojnë në avantazh në minutën e 15-të me anë të Elton Cales i cili shënoi për 1-0.
Me epërsi minimale të Gjilanit u mbyllën 45 minutat e para të këtij takimi.
Në pjesën e dytë Dukagjini ia doli që të gjejë golin e barazimit me anë të Altin Mërlakut, i cili shënoi në minutën e 52-të për rezultatin 1-1 pas asistimit të Gentrit Salihut. Deri në fund të dyja ekipet rrezikuan disa herë njëra-tjetrën por që nuk ishte e mjaftueshme që të merrnin tri pikë.
Gjilani tani ka 27 pikë të grumbulluara dhe gjendet në pozitën e tetë në tabelë, ndërsa Dukagjini renditet në pozitën e gjashtë me 35 sosh.