Gjilani dhe Prishtina duan fitore në derbi

27 tetor 2018 | 09:44

Gjilani, por edhe Prishtina, kanë paralajmëruar se sot (e shtunë) do t’i kërkojnë pikët maksimale nga ndeshja derbi e xhiros së dymbëdhjetë në IPKO Superligë.

Trajneri Sadat Pajaziti beson se skuadra e Gjilanit mund ta mposhtë sot (e shtunë) Prishtinën në kuadër të javës së dymbëdhjetë në elitën e futbollit të Kosovës. Strategu nga Lugina e Preshevës beson se pas Feronikelit kokulur nga Gjilani do të rikthehet edhe skuadra kryeqytetase.

“Normalisht se edhe ndeshja e radhës është mjaft e fortë, pasi përballemi me Prishtinën që, së bashku me Feronikelin, janë dy skuadrat më të forta në futbollin e Kosovës. Me kënaqësi e pres ndeshjen ndaj Prishtinës, e cila do të sjellë një rivalitet të madh, por edhe një atmosferë në tribunë. Ne do të angazhohemi maksimalisht që edhe në këtë ndeshje të arrijmë fitore dhe të vazhdojmë në këtë mënyrë deri në fund të sezonit vjeshtor, pastaj kemi kohë të organizohemi edhe më shumë si skuadër dhe, pse jo, të angazhojmë edhe ndonjë futbollist”, ka thënë Pajaziti për “Epokën e re”.

Për ndeshjen që zhvillohet në Gjilan foli edhe mbrojtësi aktual i Prishtinës, Leotrim Bekteshi, i cili edicionin e kaluar ishte pjesë e Gjilanit. Bekteshi beson se skuadra “bardhekaltër” do të dalë fituese nga kjo ndeshje derbi.

“Shkojmë në udhëtim te skuadra që ka ekip shumë të mirë dhe ka pasur paraqitje

të mira sivjet. Po ashtu, plus për të është edhe ambienti i mirë sportiv në shkallët e stadiumit. Por, kanë pasur shumë ndryshime në formacion dhe duke e njohur edhe fushën, sepse kemi luajtur gjatë atje, unë shpresoj shumë se do të rikthehemi me rezultat pozitiv e që për ne do të thotë tri pikë të reja. E vlerësoj se do të jetë ndeshje shumë e vështirë, por edhe interesante. Por, kam besim te skuadra dhe te optimizmi ynë që do të vazhdojmë me serinë e paraqitjeve të mira”, ka thënë Bekteshi për faqen zyrtare të klubit prishtinas.

Skuadra e Gjilanit renditet në pozitën e pestë me 17 pikë, gjashtë pikë më pak se skuadra kryesuese në ligë. Prej njëmbëdhjetë ndeshjeve të zhvilluara, Gjilani ka pesë fitore, dy barazime dhe katër humbje. Në anën tjetër, Prishtina pozicionohet e dyta me 21 pikë, por ka një ndeshje të pazhvilluar.

IPKO SUPERLIGA

Ferizaj – Flamurtari          2-3
Ballkani – Liria                     1-0
KEK-u – Drita                       1-2
Të shtunën takohen:
Trepça ‘89 – Feronikeli
Gjilani – Prishtina
Drenica – Llapi
(Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:45)

LIGA E PARË

Të shtunën takohen:
Istogu – Dukagjini
Trepça – Onix
Të dielën takohen:
Kika – Fushë Kosova
Vllaznia – Arbëria
Vitia – Vëllaznimi
Besa – Ramiz Sadiku
Bashkimi (K) – Drenasi
Vushtrria – 2 Korriku

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trupi Zgjedhor i Bashkësisë Islame të Kosovës sot voton për…