Gjilani fillon zbatimin e masave lehtësuese
Komuna e Gjilanit ka vlerësuar gjendjen e përballjes me Covid-19 dhe Komiteti për menaxhimin e emergjencave nga kjo komunë ka konfirmuar se gjendja është nën kontroll dhe se nuk ka asnjë rast të ri me koronavirus.
Me këtë rast, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se ka nisur të krijojnë masat lehtësuese të marra për parandalimin e koronavirusit dhe sipas tij ky lehtësim i masave duhet të ndodh gradualisht.
“Jemi duke hyrë në fazën e uljes së rasteve me Covid-19. Gjilani ka në tretman 26 raste të cilat po monitorohen në vazhdimësi nga ekipet e kujdesit shëndetësor, sikur që edhe rastet që janë duke u trajtuar në spital. Gjilani është duke zbatuar masat e reja që ka lansuara nga Qeveria e Kosovës për sektorin privat, duke filluar hapja graduale e bizneseve dhe ekonomisë. Komisioni komunal ka përgatitur të gjitha detajet lidhur me bizneset që duhet të punojnë. Sektori privat ka nevojë të mbështetjes dhe të funksionimit, sepse gjendja nëpër të cilën ka kaluar vendi për këta dy muaj, ka qenë vështirësi e madhe në stabilitetin e tyre”, ka potencuar Haziri në konferencë për medie.
Në fushën e mbështetjes për rastet me gjendje të vështirë ekonomike dhe sociale në këtë fazë të përballjes me Covid-19, Haziri ka thënë se është rritur kartela e nevojave të mbështetjes.
“Deri në këtë fazë janë mbështetur 3 940 familje me pako sociale dhe janë nën kujdesin e vazhdueshëm të komisionit komunal. Prej tyre 120 familje janë rome, 88 serbe dhe 26 turke. Donacionet që kanë ardhur në Gjilan janë nga një shtrirje e gjerë, që nga bizneset, njerëzit e vullnetit të mirë, diaspora, shoqatat e ndryshme etj”, është shprehur Haziri. /Epoka e re/ L.G/