Gjilani hap debatin publik për projektet e rigjenerimit urban
Komuna e Gjilanit ka hapur debatin publik lidhur me projektet e rigjenerimit urban, objektin e administratës, selinë e KBI-së e skulpturat monumentale.
Haziri e ka shpallur të hapur debatin, teksa ka inkurajuar të gjithë ekspertët e fushave që t’i japin sugjerimet, vërejtjet e propozimet përkitazi me këto projekte nëpërmjet Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
“Në kuadër të programit të zhvillimit të komunës, ne po presim këto ditë që ta marrim miratimin e plotë të Ministrisë së Ambientit për Planin Zhvillimor Komunal, pasi Drejtoria për Urbanizëm dhe profesionistët tanë janë angazhuar për një kohë të gjatë që të përmbyllet kjo detyrë ligjore, e cila në dhjetë vjetët e ardhshëm i jep zhvillim Gjilanit”, ka thënë Haziri, duke shtuar se në kuadër të kësaj kanë përgatitur disa iniciativa të cilat kanë të bëjnë me rigjenerimin urban të zonës së parë të qytetit.
“Gjilani do të jetë zonë urbane në fokus të zhvillimit”, ka deklaruar Haziri, duke shtuar se të gjithë ekspertët e fushave ftohen që të gjitha sugjerimet, vërejtjet e propozimet t’i adresojnë në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit.