Gjilani huazon dy futbollistë nga Kukësi
Klubi i futbollit, Gjilani, ka bërë të ditur se ka sjellë në radhët e veta dy futbollit nga Kukësi. Bëhet fjalë për dyshen Angjelo Tafas dhe Atdhe Rashiti, të cilët janë marrë në formë huazimi. Ndërkohë Gjilani ka konfirmuar gjithashtu kalimi i Enea Koliqit te Ballkani.
“Sport Club Gjilani konfirmon ardhjet e përkohshme të futbollistëve Angjelo Tafas dhe Atdhe Rashiti nga radhët e Kukësit. Klubet kanë gjetur akordin për këtë marrëveshje dhe me këtë rast shprehim falënderimet më të sinqerta për bashkëpunimin e ofruar nga FK Kukësi. Gjithashtu, konfirmojmë edhe arritjen e marrëveshjes me FC Ballkani për futbollistin Enea Koliçi, duke u dëshiruar njëherit shumë suksese në garat evropiane”, thuhet në njoftimin e Gjilani.
Më pas, klubi gjilanas ka njoftuar se të gjithë futbollistët e tjerë vazhdojnë të mbeten në lidhje kontraktuale me klubin dhe janë të regjistruar për ndeshjet kualifikuese në Ligën e Konferencës.
Ekspedita e Gjilanit do të udhëtojë më datën 11 korrik drejt Luksemburgut, me ç’rast do t’i zhvillojë dy seanca stërvitore para ndeshjes të datës 13 korrik ndaj ekipit vendas Progres Niederkorn.