Gjilani i ofron bashkëpunim OAK-ut për tejkalimin e krizës së shkaktuar nga pandemia
Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, është takuar të martën me përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), në krye me Skënder Krasniqin.
Takimi kishte për qëllim identifikimin e mundësive për bashkëpunim ndërmjet komunës së Gjilanit dhe OAK-ut.
Tahiri ka shprehur gatishmërinë e komunës së Gjilanit për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve që kanë për synim mbështetjen e sektorit privat.
Ajo ka prezantuar pakon e masave me lehtësirat të cilat komuna e Gjilanit i ka ndërmarrë brenda mundësive dhe kapaciteteve që ka në mbështetje të bizneseve me qëllim të rikuperimit ekonomik, pasi shumë biznese janë ndikuar nga masat e Ministrisë së Shëndetësisë për luftimin dhe parandalimin e Covid-19.
Të pranishmit janë njoftuar edhe në lidhje me hulumtimin me bizneset e komunës së Gjilanit për vlerësimin e dëmeve në ekonomi, i cili, do të shërbejë si instrument për koordinimin e veprimeve të Komunës si dhe bashkërendimin me nivelin qendror dhe donatorët, për tejkalimin e krizës ekonomike, e shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Ndërsa përfaqësuesit e Odës së Afarizmit kanë potencuar se kanë bashkëpunim të mirë me bizneset e komunës e Gjilanit dhe janë të interesuar të bashkëpunojnë me qëllim që të adresojnë sfidat me të cilat po përballet sektori privat dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes për t’i dhënë një kahje pozitive sektorit më të rëndësishëm në vend.
(Q.R / Epoka e re)